Një delegacion i Lëvizjes “Besa”, i kryesuar nga kryetari i saj, Bilall Kasami dhe kryetari i degës së Tetovës, Azbi Mahmudi, gjatë ditës së sotme kanë qëndruar në disa fshatra të Malësisë së Sharrit.
Ata kanë vizituar Brodecin, Veshallën, Bozovcën dhe Shipkovicën dhe qëllimi i këtij turneu ishte sensibilizimi i qytetarëve të këtyre fshatrave që janë futur në listën e votuesve të kontestuar dhe rrezikojnë t`u merret e drejta e votës.
“Ne kemi ardhur t`ju informojmë dhe jemi të gatshëm t`u ndihmojmë në procedurën për t`u hequr nga kjo listë. Nuk është me rëndësi se a do të votoni në procese zgjedhore dhe për kë do të votoni. Me rëndësi është që ju të mos lejoni që në mënyrë kaq tinzare dhe të padrejtë t`u merret e drejta për të votuar”, theksoi ndërmjet tjerash kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Përndryshe, Lëvizja Besa dje bëri paralajmërimin se ditëve në vazhdim do të ndërmarr një aksion të gjerë për të shpëtuar votuesin shqiptar. Aktivistët e Lëvizjes do të jenë në terren vazhdimisht në të gjitha vendbanimet për të ndihmuar në regjistrimin e votuesve.