Mbrëmë, kur Shkëndija e Tetovës shënoi fitore të rëndësishme në xhiron e tretë të kualifikimeve për “Europa League”, në vend që kjo të jetë festë e gjithmbarshme e sportadashësve, pas saj përsëri u shpërfaq albanofobia. Edhe kësaj here nuk u lejua që tifozët e Shkëndisë t’i gëzohen fitores dhe të festojnë për ekipin e tyre të zemrës. Duke u kthyer në Tetovë, ata u sulmuan në mënyrë barbare nga huliganët maqedonas. Në këtë mënyrë edhe një herë u dëshmua se shqiptarët janë jetimë në vendin e tyre, janë të pambrojtur dhe të papërfaqësuar. Nuk mjafton, madje, as prezenca e ministrave dhe funksionarëve të BDI-së në tribunat e stadiumit, që tifozët shqiptarë të jenë të sigurt gjatë ardhjes, qëndrimit dhe kthimit, njësoj siç nuk mjafton as prezenca e BDI-së në Qeveri për të qenë shqiptarët të mbrojtur dhe të përfaqësuar.
Në javën kur vrasësit të dy të rinjve shqiptar nga Gostivari i hiqet dënimi me burg të përjetshëm, në javën kur të akuzuarve për rastin e Kumanovës u thyhen gjymtyrët, në javën kur çdo ditë mbahen seancë gjyqësore kundër rasteve të montuara, huliganët maqedonas i sulmojnë shqiptarët e pafajshëm, sepse ndjehen të sigurt se ata nuk do të kapen, madje edhe nëse kapen, marrin dënime simbolike ose vërejtje të zakonshme për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Përmes vendimeve skandaloze të gjykatësve të politizuar, duke u dhënë shqiptarëve dënime drakonike kurse maqedonasve dënime simbolike, ky pushtet nxit huliganizëm te maqedonasit dhe frikë dhe pasiguri te qytetarët shqiptarë.
Prandaj Lëvizja BESA konstaton se shpëtimi i vetëm nga kjo torturë dhe terror i përditshëm është largimi i kësaj qeverisje, e cila është nënë për maqedonasit dhe njerkë për shqiptarët.