Kur vitin e kaluar BESA thoshte se universiteti në Shkup ishte mbulesë e krimit të BDI-së dhe se kjo parti, që e ka shkatërruar arsimin shqip, duke e partizuar e abuzuar, dhe më pas duke u mburrur me ndërrimin e dy emrave të shkollave në Shkup, kishte plot njerëz publikë që na e morën me dashakeqësi se, gjoja, BESA ishte kundër Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup.
E kur tash për UNT-në nuk u bë kurrfarë objekti, kur për të ndahen 160 mijë euro qesharake, ne duhet ta pyesim opinionin: kush paska pasur të drejtë? A kishim pasur të drejtë ne që kishim thënë se kjo parti nuk e ka mendjen te Universiteti, por te tenderët, apo ata që mbanin shpresa të kota prej asaj nisme? Po a duhet më shumë argument se fakti që me këtë ministri ka udhëhequr A. Ademi, i cili ka probleme themelore me nocionin ARSIM? Dhe, tash kur hapen konkurset për pranim të studentëve në universitetet e tjera publike, kur UNT-ja ka mbetur pa objekt, pa para, pa kuadër dhe pa studentë, patjetër duhet të konstatojmë se për ne kjo nuk është kurrfarë befasie, por vetëm konfirmim i bindjes se ata që e kanë mendjen te tenderët, nuk mund të mendojnë edhe për bashkësinë e arsimtarëve dhe nxënësve, pra universitetin.
Të gjendur në këtë situatë, BESA deklaron se lajmi i vetëm i mirë, ndër gjithë lajmet e këqija që i prodhon BDI-ja. është se zgjedhjet mund të jenë së shpejti dhe vitin tjetër – kur ta kemi fituar mandatin e popullit, ky universitet të fillojë të punojë normalisht si të gjitha universitetet publike në vend. Atëherë do të ketë përfunduar epoka e bilmezëve ne resorin e Arsimit, epoka e partizimit të arsimit dhe epoka e abuzimit me vlerën më të shenjtë, siç është arsimi i të rinjve. E deri atëherë na vjen keq që bashkërisht mund të konstatojmë tradhtinë dhe mashtrimin e radhës në vargun e gjatë të manipulimeve që na i ka kurdisur partia shqiptare në pushtet.