‘Betohem në kokat e nipave dhe mbesave’/ Kryetari i Mitrovicës: Thaçi më ka treguar planin e ndarjes së Kosovës

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri thotë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi më 2008 i kishte shpjeguar atij planin për ndarjen e Kosovës. Thotë se ai nuk e ka pranuar këtë plan, derisa tregon se çka u tha në takimin me Thaçin, në të cilin sipas tij, prezent ishin edhe dy persona të tjerë.

“Personalisht nuk kam kurgjo me z.Thaçi. Për planin e ndarjes po, kam biseduar me të dhe ma ka shpjeguar se si do të ndodh. Unë kam qenë kundër”, tha Bahtiri në Tv Dukagjini.

Bahtiri ka shpjeguar se çfarë i ka thënë Thaçi në atë takim.

“Personalisht kam biseduar me të dhe më ka treguar saktësisht se kah do të ndahet Kosova. Sipas z.Thaçi do të fillojë nga Zubin Potoku në fshatin Çabër që do të jetë në pjesën e jugut të Mitrovicës. Vinalci i Epërm, Vinalci i Ulët, Gushavci, Suhodolli mbesin në pjesën e jugut dmth në Kosovë. Pjesa prej Vidimiqit shkon drejt varreve të shqiptarëve dhe kalojnë në lumin Sitnica dhe dalin në pjesën e Shalës ku unë kam bërë rezistencë të fuqishme që atje të vendosen eshtrat e Isa Boletinit. Fshati Boletin ka mbetur në pjesën e Jugut”, tha Bahtiri.

“Sipas z.Thaçi i cili mua ma ka thënë (kemi qenë katër persona në takim) e ka pasur këtë plan dhe ma ka shpjeguar. Mitrovica ka pas me qenë e bashkuar në fazën si Free City Zone dhe mu ka thënë se ti do të jesh kryetar i dy Mitrovicave. Unë s’e kam pranuar një gjë të tillë dhe kam bërë peticion i cili është nënshkruar mbi 17 mijë veta që është dorëzuar në Kuvend kur ka qenë kryetar Kadri Veseli. Asnjëherë nuk ka shkuar në Kuvend”, shtoi kryekomunari i Mitrovicës.

Gjithnjë duke ju referuar bisedave me Presidentin Thaçi, Bahtiru thotë se ky i fundit i ka treguar se Trepça do të mbetet në Kosovë, ndërsa Ujmani do të menaxhohej nga ndërkombëtarët.

Bahtiri në fund është betuar në “kokën e nipërve dhe mbesave” se këto gjëra ja ka thënë me të vërtet Hashim Thaçi.

“Po ju betohem në krejt familjen time dhe 22 nipave dhe mbesave se asnjë fjalë s’po e them më shumë e as më pak”, theksoi ai.

“Jam i gatshëm të përballem publikisht me të dhe të debatojmë për këto gjëra”, tha ndër të tjera Agim Bahtiri.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme