Biblioteka e Tetovës rrezikon të mbyllet

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Mbi 20 vjet Biblioteka e Tetovës, po funksionon pa kushte elementare. Në një hapësirë prej vetëm 200 metra katrore, janë të vendosura në rafte mbi 83.000 libra mes të cilave mezi kalohet. Me tavane të ulëta, lagështi e dritë të tepërt që ndikon në shkatërrimin e librave. Me dhjetëra herë, punëtorët e kësaj biblioteke përmes televizionit Alsat kanë alarmuar për kushtet e vështira, duke kërkuar një hapësirë më të madhe për të zhvilluar këtë veprimtari, por Ministria e Kulturës, asnjëherë nuk ndërmori masa për dislokimin e bibliotekës në një vend me sipërfaqe dhe kushte të duhura. Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, ditë më parë, Ministria e Kulturës ka njoftuar organet e Shtëpisë së Kulturës ku është e vendosur edhe biblioteka, se e njëjta do të hiqet nga ai vend, dhe do të vendoset tek klasat e Fakultetit të Artit Muzikor, ku kushtet, sipas të punësuarve në bibliotekë, janë ende më të këqija.

“Faktikisht e gjitha është me kërkesë të Ministrisë së Kulturës pas çka Qeveria  pritet të sjellë vendim që në hapësirat ku gjendet Biblioteka e Tetovës, do të vendoset Delegacioni i Bashkësisë Evropiane, kurse në pjesën tjetër do të kalojë Biblioteka e Tetovës. E njëjta do të kalojë aty ku aktualisht gjendet Fakulteti i Arteve të Universitetit të Tetovës”, tha Vullnet Fejzullahu, Shtëpia e Kulturës “Iljo Anteski Smok”.

Ky dislokim, sipas drejtoreshës së bibliotekës së Tetovës, nënkupton edhe mbylljen e këtij institucioni, sepse, vendi ku planifikohet të locohet biblioteka, nuk ka aspak kushte as për vendosjen e librave e as për numrin e madh të lexuesve që ka kjo bibliotekë, e që në numër janë mbi 5.000.

“Kjo nga ana jonë është pritur negativisht dhe punëtorët kanë frikë se ne gjithë kohës pra me vite kërkojmë kushte më të mira se në këto kushte mezi veprojmë, e neve duan t’na japin hapësirat e klasave të Fakultetit të Arteve Muzikore, që janë klasa të ngushta me tavane të ulëta nuk plotësojnë aspak kushtet për funksionim të bibliotekës. Me këtë dislokim gjysma e fondit të librave do dëmtohet dhe as që do mund të funksionojmë, aty thjesht do mund të funksionojmë si magazinë dhe kjo çon drejt mbylljes së bibliotekës”, u shpreh Rezearta Ismaili, Drejtoreshë e bibliotekës së Tetovës.

Përveç mungesës së hapësirës për vendosjen e gjithë fondit të librave në biblioteke, si pasojë e të cilës, mbi 50.000 tituj rinë nëpër depotë e Shtëpisë së Kulturës, në gjendje të mjerueshme janë edhe gazetat ditore të vendit, të cilët ruhen që nga viti 1944, por që në mungesë të kushteve, janë hedhur në nënkulmin e Shtëpisë së Kulturës. /alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme