Presidenti amerikan, Joe Biden i ka kërkuar Kongresit Amerikan 13 miliardë dollarë të tjerë si mbështetje për Ukrainën. Një raketë ruse ka goditur një hotel në Zaporishjan ukrainase, ku shpesh qëndrojnë punonjës të OKB.
Përgjegjësja për buxhetin në Shtëpinë e Bardhë, Shalanda Young është shprehur, se qeveria amerikane po aplikon për mjete shtesë për ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën si edhe për vende të tjera që vuajnë nga efektet e “marshimit brutal” të Rusisë në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara janë mbështetësja kryesore e Ukrainës në luftën mbrojtëse kundër Rusisë. Që nga fillimi i luftës agresore të Rusisë në shkurt 2022, Uashingtoni i ka premtuar Kievit ndihma ushtarake në vlerën e më shumë se 43 miliardë dollarëve. Në radhët e republikanëve në opozitë ndihmat e zgjeruara ushtarake pjesërisht hasin në kritika.
Ndërkohë në Zaporishja në Ukrainë është goditur një hotel në qytet nga një raketë ruse Iskander, ku ka ndërruar jetë një person dhe janë plagosur 16 të tjerë, mes tyre katër fëmijë. Sipas mediave lokale bëhet fjalë për për hotelin Reikartz në qendër te qytetit, që përdoret shpesh nga punonjësit e Kombeve të Bashkuara. “Jam e tronditur nga lajmi që është goditur një hotel që përdoret shpesh nga punonjës të OKB-së dhe organizatat joqeveritare që mbështesin njerëzit e prekur nga lufta”, është shprehur koordinatorja e OKB-së për ndihmat humanitare në Ukrainë, Denise Brown./DW
Top Channel