Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar zëvendëspresidentin në largim Joe Biden, i cili për Thaçin vazhdon të jetë inspirim dhe model i përkryer.
Thaçi ka thënë se përkushtimi i SHBA-ve dhe përkushtimi personal i Bidenit për paqe në Kosovë dhe rajon, është interes strategjik i Amerikës.
“Në jetën time, në kohë dhe rrethana të ndryshme, kam takuar shumë liderë botërorë. Por, padyshim, zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, për mua mbetet inspirim dhe modeli më i përkryer. Ajo çfarë e bën të veçantë zëvendëspresidentin Biden, ndër të tjera është urtësia, mençuria dhe sinqeriteti i tij. I tillë ishte dhe ka qenë në të gjitha takimet që kam pasur përgjatë gjithë këtyre viteve. I tillë ishte edhe në takimin e sotëm”, ka shkruar Thaçi për Bidenin.
“Përkushtimi i Amerikës dhe përkushtimi personal i zëvendëspresidentit Biden për paqen në Kosovë, në rajon dhe më gjerë mbetet i përhershëm, sepse është interes strategjik i SHBA-së”, ka shtuar presidenti i Kosovës, transmeton Koha.net.
Thaçi është shprehur i sigurt se ngjashëm si administrata e Barack Obamës, edhe ajo e presidentit të ri, Donald Trump do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën.
“Prandaj, jam i sigurt se ky përkushtim do të vazhdojë edhe gjatë administratës së re. Ndërsa, zëvendëspresidenti Biden dhe gjithë familja e tij, tani dhe përgjithmonë, Kosovën duhet ta konsiderojnë si shtëpinë e tyre”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ndjehem njeri me fat dhe krenar që vendi im mbështetet nga njerëz të tillë të jashtëzakonshëm si zëvendëspresidenti Biden. Le të mbetet e përjetshme dhe e bekuar kjo miqësi ndërmjet Kosovës dhe Amerikës.