BIRN: Ftohen eksportet, deficiti tregtar arrin në mbi 1.1 miliardë euro

Eksportet shqiptare shënuan nivelin më të ulët në tre vjet gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ndërsa deficiti shënoi nivelin më të lartë në katër vjet, bëhet e ditur nga të dhënat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Instituti i Statistikave.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Eksportet e mallrave ranë me 23 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, në nivelin e 95 miliardë lekëve, bëhet e ditur nga bilanci i tregtisë së jashtme që u publikua të mërkurën nga Instituti i Statistikave. Rënia vjetore me 23% u shkaktua nga rënia në eksportet e tekstileve dhe këpucëve dhe të sektorit të energjisë. Eksportet këtë tremujor janë më të ulëtat e shënuara që nga tremujori i parë i vitit 2021.

Rënia më e madhe duket se vjen si rrjedhojë e ftohjes së mëtejshme të çmimeve të energjisë në tregun ndërkombëtar në krahasim me një vit më parë. Grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” pësoi rënie 43% në eksporte dhe 25 për qind në importe.
Një pjesë e rënies së eksporteve është për shkaqe matematikore dhe joreale, konkretisht, për shkak të forcimit të lekut  përgjatë vitit të fundit. Leku shqiptar është  forcuar rreth 9.5% përkundrejt euros dhe dollarit, monedhave kryesore të eksporteve, ndërsa mbajtja e bilancit të tregtisë së jashtme në lekë nënkupton që një euro mall e eksportuar vitin e kaluar është e barabartë me më pak lekë sot. Nëse merret parasysh efekti i kursit të këmbimit, sërish rënia e eksporteve është në nivel dyshifror.

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, sektori më i goditur nga fenomeni i forcimit të pazakontë të lekut kundrejt euros, shënuan rënie vjetore në masën 25.2%. Qeveria ka pranuar se sektori, i cili është aktualisht një faktor i rëndësishëm në punësim, veçanërisht në zonat rurale apo qytezat e vogla ku fabrikat e veshjeve dhe këpucëve janë zhvendosur në masë gjatë dekadës së fundit, po përjeton një krizë të shkaktuar nga kursi i këmbimit dhe ka miratuar një paketë kredish pa interes në masën 40 milionë euro, paketë kjo që nuk dihet nëse mjafton për të kompensuar humbjet nga kursi i këmbimit.

Këtë tremujor rënie pësoi edhe eksporti i ushqimeve, i cili ka qenë përgjatë viteve të fundit sektori më me rritje në eksporte. Rënia gjithsesi në këtë rast ishte vetëm 1%, shifër kjo brenda faktorit të kursit të këmbimit.

Në tremujorin e parë importi i mallrave ishte në të njëjtin nivel me një vit më parë, gjë që sugjeron se rritja dramatike e numrit të udhëtarëve të huaj nuk është konvertuar në ndonjë rritje të konsumit.

Por rënia e eksporteve përkundrejt importeve në nivele të njëjta bëri që deficiti tregtar i vendit të rritet në 114 miliardë lekë ose më shumë se 1.1 miliardë euro. Ky është deficiti tregtar më i lartë që ka njohur vendi në shumë vite.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme