Gazetarja e Syri TV Ambrozia Meta u përball të martën me cënim fizik nga kryeministri Edi Rama gjatë një dalje të tij për mediat, ku ai refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetares se si përfitonte publiku nga planet për të dhënë ishullin e Sazanit dhëndrit të Donald Trump.
Kamerat e televizioneve kapën momentin kur Rama zgjat dorën dhe prek në fytyrë gazetaren, veprim që organizatat në mbrojtje të gazetarëve e kanë cilësuar si cënim të integritetit fizik dhe sjellje anormale nga ana e kryeministritit.
Unioni shpreh solidaritetin me gazetaren dhe shton se ajo në të drejtën e vet profesionale këmbëngulte për një përgjigje konkrete prej kryeministrit
“Kryeministri jo vetëm që nuk jepte një përgjigje konkrete për pyetjen specifike, por me një gjuhë replikuese dhe nga pozita e edukuesit moral shmangej nga detyrimi për të dhënë një shifër konkrete për përfitimet e mundshme publike prej njerit nga projektet më të mëdha në fushën e turizmit shqiptar”.
Edhe organizata për sigurinë e gazetarëve “Safe Journalists Albania” shprehu solidaritet me gazetaren që sipas organizatës, “u përball me intimidimin e kryeministrit vetëm pse po kërkonte transparencë dhe llogaridhënie”.
Sjellja e kryeministrit ndaj gazetarëve në vijëmësi ka ngritur shqetësim për organizatat e mediave për arrogancën e përgjigjeve, refuzimin për t’iu përgjigjur pyetjeve apo “dënimin” e gazetarëve duke mos i lejuar të marrin pjesë në konferencat për shtyp.
Gazetarja Ambrozia Meta i tha BIRN-it se “fatkeqesisht arrogancen e zakonshme ndaj gazetareve kryeminsitri Rama, tani po e demonstron edhe me prekje fizike”. Duke komentuar incidentin ajo shtoi se i vinte keq që “shefi i qeverise nuk arrin të kontrolloje dot veten, kur pyetet për çështje të interesit publik”.
Incidenti solli dhe reagimin e politikanëve të opozitës, të cilët dënuan aktin e Ramës duke shpërndarë videon e incidentit.
“Akt i shëmtuar prej gangsteri, dhunë fizike e Edi Ramës ndaj gazetares” shkruajti në facebook ish-kryeministri Sali Berisha, që aktualisht drejton grupimin më të madh opozitar.
Ndërsa deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, e quajti “sjellje kafshërore”.
“Ky e ka mbushur kupen dhe duhet të shtyhet dhe duhet përzënë me forcë siç e meriton sjella e tij kafshërore”- shkruan ai në facebook.
Agjencia për Media dhe Informim pranë kryeministrisë nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN-it se si e justifikonte kryeministri dhunën fizike ndaj gazetarëve.
Përkeqësimi i lirisë së medias në Shqipëri është ngritur si shqetësim i vazhdueshëm nga organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit.
Kryeministri Edi Rama po përballet me pyetje nëse projektet e dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump në Sazan dhe Zvërnec dëmtojnë apo jo mjedisin, cënojnë zonat e mbrojtura dhe sjellin apo jo përfitim për qytetarët. Qeveria pranon se ka marrë një ofertë për zhvillim në ishullin e largët të Sazanit ndërsa mohon që të ketë dijeni për projektin tjetër të deklaruar nga Jared Kushner, për ndërtimin e dhjetëmijë banesave në zonën e mbrojtur të Nartës dhe Zvërnecit në veri të Vlorës./Reporter.al