BIRN: Media botërore po zien për skandalin Rama-McGonigal, Peleshi e quan çështje qesharake

Akuzat ndaj agjentit të FBI, Charles McGonigal, kanë marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe atyre vendase, por ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u përpoq t’i zhvlerësonte ato me fjalë si “qesharake” apo “stuhi në gotë”.

Nga Blerina Gjoka

 Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u përball të martën në Komisionin e Sigurisë në Kuvend me pyetje të deputetëve të opozitës për çëshjen “McGonigal”, ku një ish-zyrtar i lartë i FBI akuzohet për përfitime, udhëtime dhe takime të padeklaruara në Shqipëri, përfshi edhe ato me kryeministrin Edi Rama.
Peleshi përdori terma si “stuhi në gotë” dhe “qesharake” duke komentuar skandalin që ka zënë titujt e mediave botërore dhe akuzat e ngritura ndaj Charles McGonigal.

 

I pyetur nga deputeti Ervin Salianji nëse zyrtarët amerikanë i kishin kërkuar “garanci për stabilitet të vendit  në rast se binte Rama”, ministri iu përgjigj se institucionet ku ai pati takime në SHBA “janë shumë serioze” dhe “nuk konsumojnë politikë kaq bajate”.

“Ato që këtu ne i ngremë si stuhi në gotë dhe flluska sapuni ju siguroj që përtej oqeanit dukeshin qesharake,” tha Peleshi, duke iu referuar vizitës së tij në SHBA pak ditë më parë ku u prit dhe në Pentagon nga Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III.

Sipas tij vizita ishte e lidhur me forcimin e bashkëpunimit ndaj sulmeve kibernetike.

“Me stuhi në gotë dhe kështjella rëre nuk kishim kohë të bisedonim,” u tha më tej Peleshi deputetëve, duke shtuar se çështja McGonigal nuk iu ngrit as si pyetje në intervistat që dha në media.

Salianji i quajti deklaratat e ministrit pa lidhje me realitetin, duke iu referuar mediave botërore që  i kishin kushtuar vëmendje skandalit. Peleshi u kërkoi deputetëve të opozitës që të mos spekulonin.

“Dikush akuzohet në Amerikë për mosdeklarim të takimeve apo të të ardhurave, ju këtu e quani korrupsion për një person që nuk është fare në akt-akuzë,” tha ai.

Pyetjes së deputetit Ferdinand Xhaferri nëse ishte takuar me ish-zyrtarin e FBI gjatë vizitave të tij në Shqipëri, Peleshi iu përgjigj me ‘jo”, por shtoi se nuk do të ishte mëkat nëse do e kishte takuar.

Kryetari i komisionit Nasip Naço u përpoq disa herë të ndalonte kanalizimin e debatit për çështjen “McGonigal” duke kërkuar që mbledhja t’i përmbahej rendit të ditës, por opozita këmbënguli që kjo ishte çështje që kishte lidhje me sigurinë kombëtare./reporter.al/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme