Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka folur për tensionet e fundit në veri të Kosovës, ku serbët lokalë bllokuan me kamionë rrugët në pjesën veriore të Kosovës.
Bllokadat erdhën një ditë para hyrjes në fuqi të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, për të cilat Qeveria vendosi të shtyhet afati deri më 1 shtator, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Biserkos, incidentet e fundit në veri të Kosovës, ishin një mënyrë për të korruru një “fitore diplomatike” të shpejtë nga Beogradi.
“Provokimi i incidenteve në rajon është pjesë e strategjisë së vazhdueshme të Beogradit prej disa kohësh. Incidentet e fundit në veri të Kosovës në lidhje me targat e veturave dhe reagimet e shpejta të KFOR-it dhe aktorëve ndërkombëtarë ishte një mënyrë për të fituar një “fitore diplomatike” të shpejtë, siç u komentua në RV Pink, dhe edhe një herë për të vërtetuar se Beogradi dhe Aleksandar Vuçiq janë garantuesit e paqes në Ballkan”, ka thënë Biserko për gazetën “Bota sot”.
Sipas saj, “duhet mbajtur parasysh se Moska ka gjithashtu një interes për të destabilizuar rajonin, një lloj fronti i dytë në oborrin e Evropës”.
Ndërsa, vendimet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për reciprocitetin, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, i quan të drejta.
Ajo ka kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja që të jenë më të vetëdijshme për sjelljet destabilizuese të Serbisë, pasi sipas saj, pikë tjetër e tensioneve do të jetë Mali i Zi.
“Përndryshe, reciprociteti është dhe duhet të jetë një nga parimet kryesore në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Beogradit. Kryeministri i Kosovës me të drejtë po përpiqet të zbatojë diçka që të dyja palët e kanë nënshkruar shumë kohë më parë.
BE-ja dhe SHBA-ja duhet të jenë të vetëdijshme për sjelljen e vazhdueshme destabilizuese të Beogradit dhe instrumentalizimin e vazhdueshëm të serbëve në të gjitha shtetet fqinje. Pika tjetër e ndezjes është Mali i Zi”, ka theksuar më tej Sonja Biserko për “Bota sot”.
Ajo ka shtuar se qëllimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, është largimi i vëmendjes në çështjet e sigurisë.
“Fakti që Serbia është e rrethuar nga NATO po e pengon çdo provokim serioz të saj. Si përfundim, i përballur me shumë skandale në shtëpi, Vuçiq po përpiqet të largojë vëmendjen në çështjet e sigurisë”, ka shtuar Biserko për “Bota sot”.
Të nëntë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës janë larguar nga vetë ata më 1 gusht.
Pas heqjes së barrikadave, ashtu siç ishte zotuar Qeveria, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve që çuan në bllokimin e rrugëve, përkatësisht vendimet për dokumentet dhe targat serbe./Botasot