Biserko: Me kthimin e Trumpit mund të rishfaqet opsioni i ndarjes së Kosovës

Në një bisedë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, paralajmëroi se rikthimi i presidentit amerikan Donald Trump në pushtet mund ta rihapë debatin mbi ndarjen e Kosovës, një çështje që kishte fituar terren gjatë mandatit të tij të parë. Por të dy janë shprehur skeptik se kjo mund të ndodhë, duke pasur parasysh zhvillimet globale.

“Me kthimin e administratës Trump, mund të rishfaqet opsioni i ndarjes. Edhe pse nuk ka ende sinjale të qarta, Lista Serbe po gëzon mbështetje të shtuar, dhe në Beograd e Sarajevë po emërohen ambasadorë me origjinë serbe nga SHBA-ja. Kjo përforcon ndjesinë se Serbia po merr përparësi në raport me Kosovën”, ka deklaruar Biserko.

Sipas saj, edhe pse Vuçiqi de facto e tërhoqi Serbinë nga strukturat e Kosovës, duke mos marrë pjesë në zgjedhje e duke braktisur institucionet, situata gjeopolitike e re po krijon rreziqe për rihapjen e çështjeve territoriale. Ajo theksoi se një qasje e tillë do të ishte shumë e rrezikshme për stabilitetin rajonal.

Surroi nga ana e tij theksoi se ndarja nuk ishte ide që erdhi fillimisht nga SHBA-ja, por nga vetë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, me mbështetje edhe nga Tirana.

“Administrata Trump nuk e shtyu ndarjen, por e toleroi dhe la hapësirë për të”, ka thënë ai.

Diskutimi u zgjerua edhe në lidhje me ndikimin e luftës në Ukrainë. Sipas Biserkos, pasojat e luftës së papërfunduar në Ukrainë mund të reflektojnë edhe në Ballkan, ku konfliktet e ngrira – si në Bosnje e Kosovë – mbeten të hapura dhe potencialisht të rrezikshme.

Biserko theksoi nevojën për një angazhim shumë më aktiv të Bashkimit Evropian.

“BE-ja duhet të jetë më ofensive në Ballkanin Perëndimor, me një qasje që nuk bazohet më vetëm në raporte nga distanca, por me mbikëqyrje reale dhe shtytje konkrete drejt integrimit. Pa këtë, progresi në rajon mbetet i pamundur”, u shpreh ajo.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme