Është e nevojshme të mbështetet inkuadrimi i komunitetit serb në shoqërinë kosovare dhe që bashkësia ndërkombëtare të nxisë konceptin multietnik, u tha sot në Beograd, me rastin e prezantimit të raportit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut “Komuniteti serb në Kosovë: Jeta e ngrirë në konfliktin e ngrirë”.
Fjalët mbi ndarjen e Kosovës ka ndalur ndikimin pozitiv të Marrëveshjes së Brukselit mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, duke e sjellë komunitetin serb në pozicion pritjeje, deklaroi kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Sonja Biserko, raporton FoNet, transmeton Koha.net.
Ajo ka thënë se elita kulturore e politike e komunitetit serb e ka braktisur Kosovën, për pasojë “çdo gjë është reduktuar në mbijetesën elementare”.
Siç është shprehur Sonja Biserko, Srpska Lista është degë e Partisë Përparimtare Serbe (bëhet fjalë për partinë e Vuçiqit . v.j) dhe ajo në radhë të parë përfaqëson interesat e Beogradit dhe “interesat e ngushta e personale të vetat”, transmeton Koha.net.
Shkëmbimi i territoreve nuk do të ishte kompromis, ka thënë Sonja Biserko, dhe ka shtuar se komuniteti serb i Kosovës në jug të Ibrit po e ndien se Beogradi po i braktisë, njëherësh se është peng i Serbisë.
Pjesa veriore e Mitrovicës konsiderohet vatër e krimit. Atje serbët më shumë kanë frikë nga disa serbë, sesa nga shqiptarët, është shprehur Biserko, përcjell Koha.net.