Këshilltari për mediat i zëvëndëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka thënë se pjesëmarrja e Bislimit në Tiranë nuk ka qenë e planifikuar.
Ai ka përgënjeshtruar mediat në Shqipëri që raportuan se Bislimit i është refuzuar pjesëmarrja në këtë takim për shkak të protokollit.
Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar. Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij.
Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”, ka shkruar Kadiu.
Sot në Tiranë do të mbahet një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit, ku i pranishëm do të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli. Mirëpo as ky takim nuk pritet t’i bëjë bashkë kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti , marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.
Dje pati raportime se në takimin joformal të së hënës në kryeqendrën e Shqipërisë, Kosova do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Por mediat pranë qeverisë shqiptare raportuan se ai nuk do pranohet në takim. Zëvendëskryeministrit të Kosovës i është komunikuar nga organizatorët e takimit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me postë të sigurt qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit.
© SYRI.net