Biznesi i Drejtuar nga Dubrava

              E enjte, 03 Nentor 2016  – Sakte.net  /

Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Azem Syla, vazhdoi aktivitetin e tij edhe pas burgosjes së disa prej anëtarëve duke përdorur telefona brenda burgut të Dubravës e po ashtu duke përdorur familjarët për të komunikuar dhe aranzhuar shitjen e pronave.

Verdiktet në rastet “Bllaca 1” dhe “Bllaca 2” kishin ndikuar në aktivitetin e grupit të Azem Sylës. Paraburgosja dhe arratia e disa prej anëtarëve të cilët ishin dënuar në këto raste nxiti metoda të reja të komunikimit, duke i shmangur tashmë takimet e zakonshme në lokalin në lagjen “Bregu i Diellit”.
Siç shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë, grupi vazhdoi aktivitetin e tij edhe pas burgosjes së disa prej anëtarëve duke përdorur telefona brenda burgut të Dubravës e po ashtu duke përdorur familjarë të tyre për të komunikuar dhe aranzhuar shitjen e pronave.

Në disa raste telefoni i burgut të Dubravës ishte përdorur për të dhënë udhëzime e po ashtu telefona brenda burgut. Sipas aktakuzës, për ta lehtësuar veprimtarinë e grupit pas burgosjes Shaban Syla angazhoi djalin e tij, Ilaz Sylën.

“Pas përfshirjes së babait të tij Shaban Sylës në një rast tjetër penal dhe arrestimit të tij në vitin 2011, Ilazi u bë pjesë e plotë e grupit”, thuhet në aktakuzë.

Ilaz Syla, sipas prokurorit, ishte veçanërisht i përfshirë në pastrimin e parave. Ai u bë pronar i disa parcelave të cilat pastaj i ndau në nënparcela dhe pastaj i transferoi ato përmes shitjeve të rreme tek anëtarët e tjerë të grupit ose te njerëz të tjerë që kishin qëllim pastrimin e parave.

Aktakuza shpjegon se një anëtar i grupit, i cili nuk është pjesë e kësaj aktakuze, vinte për vizitë një herë në javë ne QKUK dhe aty udhëzohej të takohej me persona të caktuar përfshirë djalin e Shaban Sylës.

Në aktakuzën voluminoze prokurori italian Danilo Ceccarelli përshkruan pozicionin interesant të shoferit të Azem Sylës, Arton Vilës.

Prokurori përshkruan se si Vila është vënë në dispozicion për t’u bërë pronar i disa parcelave përmes shitjeve të rreme, me çmime qesharake, e që qëllimi ishte pastrimi i parave. Prokurori italian thotë se edhe vet Vila në marrjen e tij në pyetje në gusht të vitit 2006 tha se shitjet nuk ishin të vërteta por se Shaban Syla i kishte kërkuar atij që të merrte pronësinë në mënyrë fiktive dhe që pastaj t’ua transferonte pronësinë personave të tjerë. Aktakuza pretendon se për çfarëdo angazhimi Arton Vila duhej të përfshihej me pajtimin e Azem Sylës.

Sipas Prokurorisë, disa biseda qesin në dritë marrëdhënien në mes të Arton Vilës si dhe anëtarëve të tjerë të grupit dhe liderit të grupit, Azem Sylës, të njohur me nofkën “Daja”.

Vila sipas Prokurorisë përveç që njihej si shoferi, ai vepronte gjithashtu edhe si një lloj sekretari ashtu që anëtarët që i takonin një rangu më të ulët në duhej që të kontaktonin me të para se të komunikonin direkt me Azem Sylën.

Aktivitetet e shoferit kishin vazhduar deri në kohën e arrestimit të tij. Gjatë kësaj kohe, sipas Prokurorisë, mbetet pjesë aktive e grupit që mban kontakte aktive me anëtarët e tjerë të grupit brenda dhe jashtë burgut të Dubravës dhe raporton në mënyrë shumë të disiplinuar.

Për krejt këtë angazhim prokurori italian thotë se Vilës nga anëtarët e grupit i është dhënë një banesë në shfrytëzim në “Pejton”, në Prishtinë, dhe mbështetje financiare.

Në mesin e njerëzve të rëndësishëm të grupit aktakuza e përshkruan dhëndrin e Nuhi Ukës, Gazmend Gashin, si person me rol krucial në ndërlidhjen me pagesat dhe ryshfetet.

Sipas Prokurorisë, Gashi ishte ndërmjetësuesi ndërmjet grupit kriminal në njërën anë dhe gjykatës dhe kadastrës at në anën tjetër, duke qenë i lidhur me Nuhi Ukën dhe duke e njohur Sabedin Haxhiun.

Lubisha Vujoviq, sipas Prokurorisë është anëtari i familjes Vujoviq, i cili bëri një kërkesë në Gjykatën Komunale të Prishtinës duke kërkuar lëshimin e një kopje të vërtetuar të një aktgjykimi, ku edhe nga Gjykata pranoi një kopje të aktgjykimit të falsifikuar që përfshinte prona të cilat  familja e tij asnjëherë nuk e kishte në pronësi dhe kështu sipas Prokurorisë filloi një nga proceset më komplekse të mashtrimit me toka që përshkruhen në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, të gjitha fotografitë, dokumentet dhe nënshkrimet e anëtarëve të familjes së tij të përdorur në autorizime dhe certifikata të Gjykatës Komunale ishin të falsifikuar me përjashtim të nënshkrimit të tij.

Siç shkruhet në aktakuzë, për vërtetimin e pretendimeve ndaj grupit të Azem Sylës Prokuroria Speciale përpos disa dëshmitarëve pretendon të shfrytëzojë dhjetëra transkripte të telefonatave të përgjuara gjatë viteve 2010, kur grupi ishte duke u ndjekur penalisht për pretendimet në “Bllaca 1” dhe po ashtu në përgjimet gjatë vitit 2015 dhe 2016.

Në pjesën ku shpjegon provat Prokuroria ofron detaje të cilat sqarojnë se telefonat e anëtareve të cilët ishin të paraburgosur ishin vënë nën përgjim e po ashtu kontaktet dhe telefonatat nga Dubrava, ku po mbaheshin të paraburgosurit.

Nga burgu Prokuroria pretendon se ishin kryer telefonata edhe me dëshmitarë të rastit “Bllaca 2”.

Një bisedë telefonike e përgjuar e 28 janarit 2010 paraqet rëndësi të madhe për prokurorin.

“Shpresim Uka telefonohet nga një person i quajtur Sh. S. Drejtori ishte dëshmitar nga mbrojtja e Shpresim Ukës në rastin “Bllaca 2”, ku dëshmia e tij cilësohet të mos ketë qenë relevante për atë rast por kishte synim t’i qiste hije negative Nazim Bllacës, dhe në njëfarë mënyre u përpoq ta forconte alibinë e Shpresim Ukës por që Gjykata nuk ia fali besimin dëshmisë së tij”, thuhet në aktakuzë.

I njëjti person, sipas Prokurorisë, në një telefonatë i kishte kujtuar Shpresim Ukës se “Daja” po i kërkonte paratë.

Në një bisedë tjetër të përgjuar në Dubravë, e datës 23 janar 2016, Shaban Syla e pyet djalin e tij Leotrimin se “nëse personi” ka thënë ndonjë gjë për të, Leotrimi përgjigjet se “Personi” i ka thënë atij se “Shabani ishte i fortë nga fillimi dhe jo si disa të tjerë së fundmi”, dhe se “Personi” tashmë kishte folur me dikë dhe se tani do të bëhet”, thuhet në aktakuzë.

Prokurori pretendon se “Personi” është Azem Syla. Në fakt disa ditë më vonë një bisedë kur Leotrimi i thotë babait të tij se “Personi” i ka thënë atij se nuk është duke i besuar më as Ilirit, djalit të tij.

Në disa biseda të tjera në mes të shkurtit 2016, Shaban Syla flet me djemtë e tij, Leotrimin e Ilazin, për një apartament që i përket atij por që në të jeton Arton Vila.

Sipas përgjimeve të Prokurorisë, ky fakt vetvetiu konfirmon bashkëpunimin e vazhdueshëm të anëtarëve të këtij grupi kriminal. Gjithashtu interesante lidhur me këtë apartament janë edhe pikëpamjet e ndryshme në mes të Arton Vilës dhe Shaban Sylës lidhur me pronësinë e këtij apartamenti.

Sipas prokurorit, Shaban Syla beson se ende i përket apartamenti ndërsa Arton Vila pretendon se është i tij pasi që dokumentet janë në emrin e tij.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme