Biznesmeni francez me origjinë algjeriane Rashid Nekkaz në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, ka paguar 10 gjoba të cilat janë vendosur për shkak të ndalesës së burkës e cila ka hyrë në fuqi në tetorin e vitit të kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).
Nekkaz, i cili ka ardhur në Austri nga Franca, në një deklaratë përpara ndërtesës së Qeverisë së Austrisë ai u ka treguar gazetarëve flatëgjobat dhe paratë e 10 gjobave të vendosura ndaj tij dhe personave të ndryshëm pas hyrjes në fuqi të ndalesës së burkës.
Biznesmeni Nekkaz duke bërë të ditur se të gjitha këto gjoba do t’i paguajë vetë ai, është shprehur se me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, dëshiron të bisedojë në lidhje me ndalesën.
“Do t’i shkruaj letër kryeministrit, do t’i përcjell se dëshiroj të bisedoj me të rreth situatës së muslimanëve që jetojnë në vend dhe se këtë do të bëj rregullisht çdo muaj. Unë kam kohë” ka theksuar Nekkaz, i cili nuk është lejuar të takohet me Kurz.
Duke vënë në dukje se ka besim që Kurz do të takohet me të, Nekkaz tha se problemet që lindin nga ndryshimet në Evropë mund të zgjidhen vetëm me dialog, përndryshe kjo situatë do të përbëjë një problem madhor për të ardhmen e Evropës. Pas deklaratave Nekkak ka vajtur në bankë dhe ka paguar gjobat.
Rregullorja e cila ndalon mbulimin e fytyrës në vendet publike hyri në fuqi në tetor të vitit të kaluar në Austri, duke shkaktuar edhe reagimin e shtresave të ndryshme të komunitetit kryesisht të muslimanëve.
Ky ligj u vendos në zbatim brenda kuadrit të paketës së harmonizimit të qëndrimeve rreth koalicionit të Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP) dhe Partisë Social Demokratike (SPÖ).
Në Austri, ata që nuk respektojnë ndalimin e burkës dënohen me 50 euro. Nekkaz hyri në vend duke mbuluar fytyrën me një maskë për të protestuar pas hyrjes së ligjit në fuqi dhe për këtë arsye ai është dënuar me 50 euro gjobë për kundërshtimin e “ligjit të harmonisë”, i cili përfshin edhe ndalimin e burkës.
Nekkaz edhe më parë kishte njoftuar se do të paguante të gjitha gjobat që do të vendosen në kuadrin e ndalimin e burkës në Austri.