Gjykata e Apelit e GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën e “arrestit me burg” për ish-shefin e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Tiranë, Roven Zeka, i përfshirë në një hetim të Prokurorisë së Posaçme për korrupsion. Ndërkohë, masa për ish-shefin e sektorit të aksidenteve, Sokol Novaku, është zbutur në “arrest shtëpie”, për shkak të rrethanave familjare.
Vendimi u dha nga gjyqtari Engert Pëllumbi, ndërsa çështja ka lidhje me një aksident të rëndë të ndodhur më 16 prill, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, pesë persona përfunduan në spital.
Sipas SPAK, tre zyrtarë të Policisë Rrugore të Tiranës, Zeka, Novaku dhe oficeri Edison Tabaku, dyshohet se kanë marrë një shumë prej 2 mijë eurosh nga biznesmeni E. V., për të shmangur arrestimin e bashkëshortes së këtij të fundit, e cila shkaktoi aksidentin. Tabaku, që kishte njohje të mëparshme me bashkëshortin e drejtueses së mjetit, thuhet se veproi si ndërmjetës, duke u takuar dy herë me biznesmenin për të negociuar shumën e ryshfetit.
Zyrtarët e policisë janë arrestuar më 19 prill, ndërsa hetimi është bazuar në përgjime dhe komunikime të dokumentuara që ekspozojnë aferën korruptive.
Gjatë seancës në GJKKO, Roven Zeka u mbrojt duke theksuar karrierën e tij si oficer policie, ndërsa Novaku kërkoi një masë më të lehtë, që nuk u pranua në fillim nga gjykata. Të dy deklaruan se kanë ndjekur procedurat standarde dhe mohuan çdo përfshirje në veprimet e Tabakut.
Prokuroria ka ngritur dyshime edhe për kontakte të paligjshme të Zekës me zyrtarë të tjerë të policisë gjatë qëndrimit të tij në paraburgim. Pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë në ambientet e Bllokut të Sigurisë, janë identifikuar hyrje-dalje të zyrtarëve që e kanë vizituar atë, çka ka çuar në marrjen e tyre në pyetje nga BKH. Tre prej tyre u janë sekuestruar celularët për të analizuar komunikimet.
Në kuadër të hetimeve ka hyrë edhe një biznesmen i njohur, i dyshuar si ndërmjetësi që vendosi kontaktin mes Zekës dhe biznesmenit që ofroi ryshfetin.
Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë skandal.