Blerta Deliu – Kodra akuzon rëndë Albin Kurtin

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka drejtuar akuza të rënda në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ish-kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti.

Duke marrë bazë deklarimin e Albin Kurtit i cili e quajti Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, si tradhtar, deputetja Kodra-Deliu e ka bërë një pyetje për deputetin e VV-së: “Ku merr guxim Kurti të quaj dikë tradhtar kur vetë është falë nga Serbia” duke iu referuar kështu lirimit të Kurtit nga burgu pas përfundimit të luftës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë një seancë të jashtëzakonshme ku po diskutohet për “vlerat e UÇK-së”.  Seanca është thirrur pas vendimeve të Gjykatës së Apelit ndaj grupit Drenica 1 e 2.

Deputetja e PDK-së ka vazhduar me akuzat ndaj Vetëvendosjes, për të cilën thotë se nuk ka të drejtë të flasë për bashkimin kombëtar kur baballarët e gjyshërit e disa prej anëtareve të këtij subjekti “kanë punu për Jugosllavinë”.

“Nëse vlerat e UÇK-së kanë mbet me u mbrojt nga VV atëherë nuk kam çfarë të komentojë këtu,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se UÇK mbrohet nga ata që e themeluan dhe nga qytetarët e Kosovës.

“Ata që sot janë kundër shtetit, atë që janë kundër Amerikës, që gjuajnë me zollë institucionet e vendit, nuk mund ta mbrojnë UÇK-në”, ka shtuar ajo./Insajderi.com