Uniformat blu kanë arrestuar dy shtetas, të cilët ishin anëtarë të grupit kriminal që trafikonte drogë nga Amerika Latine drejt Italisë.
Në pranga kanë rënë Julian Kollçaku, 34 vjeç, banues në Kavajë dhe Makism Ndoci, 30 vjeç, banues në Pukë.
Po kështu është kryer dhe kontrolli në ambiente të lidhura me 20 shtetas të dyshuar si pjesëmarrës në veprimtarinë e trafikut të drogës.
Ky operacion antidrogë u zhvillua nga autoritetet italiane e cila shkatërroi grupin shqiptar me bazë në Milano, Pavia, Monza e Modena. Hetimet e operacionit zbuluan se paratë e fituara nga trafiku i drogës ricikloheshin në ekonominë e vendeve të ndryshme.
Identifikimi i anëtarëve të këtij grupi narkotrafikantësh shqiptarë u zbulua pas bisedave të kriptuara në aparate celulare të sofistikuara e të teknologjisë së fundit e me ndihmën e ekspertëve të Europol dhe Eurojust.
Policia e Shtetit raporton se nga kontrollet janë sekuestruar 20 mijë euro, 52 ora të markave të ndryshme, 1 makinë, 7 celularë, kontrata noteriale dhe dokumente të tjera.
Po kështu, blutë raportojnë se shtetasit, përgjatë viteve 2018-2024, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike Kokainë nga Amerika Latine dhe më pas e kanë shitur në qytetet Pisa, Firence, Livorno, Venecia dhe Romë.
Sakaq, Interpol Tirana me homologët në Romë po punojnë për ekstradimin e Kollçakut dhe Ndocit.
Çështja i ka kaluar SPAK-ut për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit kontribuon në planin operacional ndërkombëtar antidrogë, të koduar “BOCA DEH RIO”, të zhvilluar nga agjencitë ligjzbatuese në Firence.
Arrestohen në Shqipëri, me qëllim ekstradimin, 2 pjesëtarë të grupeve kriminale të implikuara në trafikimin e Kokainës nga Amerika Latine në Itali.
Gjithashtu, kontrollohen ambiente të lidhura me 20 shtetas të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari.
Nga kontrollet sekuestrohen 20 000 euro, 52 ora të markave të ndryshme, 1 automjet, 7 celularë, kontrata noteriale dhe dokumente të tjera.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në kuadër të planit operacional ndërkombëtar antidrogë, të koduar “BOCA DEH RIO”, të iniciuar nga agjencitë ligjzbatuese në Itali, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorinë e Forcës së Sigurisë Kombëtare, me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe me DVP-të Tiranë dhe Durrës, ekzekutuan vendimet e GjKKO-së, për:
-arrestimin e përkohshëm, me qëllim ekstradimin në Itali, të shtetasve J. K., 34 vjeç, banues në Kavajë dhe M. N., 30 vjeç, banues në Pukë, të akuzuar nga Gjykata e Firences, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;
-kontrollin e ambienteve të lidhura me 20 shtetas të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Nga hetimet e kryera në kuadër të planit operacional “BOCA DEH RIO”, dyshohet se këta shtetas, të organizuar si grup, gjatë periudhës 2018-2024, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike Kokainë nga Amerika Latine dhe më pas e kanë shitur në qytetet Pisa, Firence, Livorno, Venecia dhe Romë.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për ekstradimin në Itali, të 2 shtetasve të arrestuar.
Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për hetime të mëtejshme.