Padia e Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferrit për shpifje ndaj ish shefit të DSK-së Sllobodan Bogoevski arriti në gjykatë, raporton SHENJA.
Ahmeti dhe Xhaferri nuk erdhën vetë për t’u ballafaquar me Bogoevskin, por kishin dërguar dy avokatë që kërkonim me ngulm që Bogoevski të paguajë dëmshpërblim prej 5,5 milionë denarësh për shpifjet dhe fyerjet e thëna në gjykatën e Nju Jorkut. Seanca përgatitore zgjati vetëm gjysmë ore dhe u shty për shkak të mosrespektimit të afateve për kundpërgjigje ndaj padisë. Bogoevski, pasi doli nga gjykata tha se kjo padi është presion ndaj dëshmitarit dhe është e dënueshme me ligj për çka paralajmëroi padi penale.
“Padia për shpifje lidhur me deklaratë të dhënë në gjykatë nuk lejohet. Ata e dinë këtë shumë mirë. Edhe sipas legjislativës amerikane, por edhe sipas Kodit Penal të Maqedonisë në bazë të nenit 368 ku presioni ndaj dëshmitarëve në proces gjyqësor është i dënueshëm. Nëse nuk tërhiqet padia ne do të iniciojmë procedurë penale kundër paditësve dhe të gjtihë atyre që marrin pjesë në këtë proces. Nuk mund të padisni dikë për shpifje dhe fyerje gjatë dhënies së deklaratës në procedurë gjyqësore. Vendin ata e kanë atje, le të urdhërojnë le të thonë çfarë kanë në proceset që zhvillohen kundër tyre e jo në gjykatës civile për fyerje dhe shpifje, e kanë gabuar adresën”, ka deklaruar Sllobodan Bogoevski, ish shef i DSK-së.
Sipas Bogoevskit edhe data e gjykimit por edhe vetë padia në esencë janë bërë për të minimizuar efektin e deklaratës së tij në gjykimin e 7 majit në Nju Jork në interes të fushatës parazgjedhore.
“Kjo është një fotografi e vogël e cila e tregon fotografinë e madhe të raportit të Qeverisë sonë ndaj gjyqësorit….Ata duan të sjellin një vendim në një gjykatë jokompetente për ta shfrytëzuar më pas në procedurën penalee cila po zhvillohet në Prokurorinë Themelore për Krim të Organizuar kundër gjithë këtyre personave. Kjo me qëllim që të amortizohet deklarata ime dhënë në Gjykatën e Nju Jorkut dhe procedurën që po zhvillohet atje, duke menduar se kjo do t’u ndihmojë”, ka shtuar më tej Bogoevski.
Avokati i Bogoevskit u dorëzoi gazetarëve një dokument të nënshkruar nga Komisioni Amerikan për Letra me Vlerë ku theksohet se Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi janë personat që kanë marrë mito për rastin “Maxhar Telekom” dokument ky i cili do ta përdorë mbrojtja në proces. Komisioni për Letra me Vlerë në Amerikë ka theksuar se dëshmia e Bogoevskit është pranuar si provë në këtë proces dhe se pas sajë qëndron Gjykata e Nju Jorkut e cila mbron sigurinë e dëshmitarëve.
Gjykatësi, Nuhi Rrustemi i prolongoi të dy seancat për më 27 janar. Ndërkohë, padi ndaj Bogoevskit ka paralajmëruar edhe ish kryeministri Vllado Buçkovski i përfshirë në miton e marrë nga Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferri. Në deklaratën e tij të dhënë para gjykatës së Nju Jorkut, Bogoevski ka theksuar se në vitin 2005 Ahmeti, Xhaferi dhe Buçkovski kanë marrë mito prej 7,5 milionë eurosh nga operatori i telekomunikimit “Maxhar Telekom” për t’i siguruar një monopol në tregun e Maqedonisë.