Strategjia e zgjerimit të Bashkimit Europian që vendeve të Ballkanit Perëndimor ua mundëson anëtarësimin në BE deri në vitin 2025, për drejtorin e Fondacionit të Moskës për politikë progresive, Oleg Bondarenko, është një karotë e re e Brukselit.
“Serbia në kufijtë ekzistues nuk do të mund të hyjë në BE, ndërsa Brukseli e Berlini Beogradin kurrë nuk do ta pranojnë partner të barabartë”, ka thënë ai për gazetën e Beogradit “politika”, transmeton Koha.net.
Sipas tij, Beogradi duhet ta ruajë paqen me pozicionin e tashëm që atij i mundëson bashkëpunimin edhe me Bashkimin Europian e edhe me Rusinë.
Bondarenko, në këtë intervistë, tërheq vërejtjen se Perëndimi po nxiton që ta përfundojë atë që e ka filluar gjë që në Serbi e në rajon mund të sjellë destabilitet të ri.
“Ta marrim për shembull situatën se Аleksandar Vuçiq është i shtrënguar ta njohë pavarësinë e Kosovës për t’i ruajtur marrëdhëniet e mira me Brukselin e me Washingtonin. Si politikan racional, nuk besoj se ai do ta bënte këtë, sepse e di se në rrugë do të dilnin qindra mijëra njerëz për të protestuar. Për këtë arsye, Perëndimi, i cili nuk është mësuar të presë, mund të aktivizojë konfliktet e ngrira në jug të Serbisë, në Luginë e Sanxhak”, thotë Bondarenko.
Në vërejtjen se Sergei Lavrov kohë më parë në Beograd ka thënë se Serbia nuk kërcënohet nga skenari ukrainas, ai thekson se kjo gjë nuk përjashtohet dhe se ai skenar është i mundshëm pas dy vjetësh.
Në konstatimin se pse të ndodhë ai skenar pasi Vuçiq po përsërit se do kompromis historik me shqiptarët, transmeton Koha.net, Bondarenko thotë se kryetari serb do kompromis, porse për këtë nuk ka gatishmëri në Prishtinë.
“Shqiptarët veten e shohin fitues dhe nuk janë të gatshëm për kompromis sepse mendojnë ta kenë fituar luftën”, tha ai.
Sipas tij, se çfarë do të përfshijë marrëveshja juridike detyruese ndërmjet Prishtinës e Beogradit, nuk është vetëm çështje e Serbisë, por edhe çështje e të gjitha vendeve që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, para së gjithash e Rusisë, Kinës, Indisë dhe pesë vendeve të Bashkimit Europian.