Qeveria po finalizon rishikimin e tretë të buxhetit të këtij viti, ndërkohë që brenda dhjetorit do të merret vendimi për shpërblimin e pranverës për pensionistët. Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi dje se shuma që do të marrin pensionistët do të vendoset këtë muaj me akt normativ. Mësohet se vlera e bonusit do të jetë më e lartë se 5 mijë lekë, ndërkohë që po vlerësohen si opsion edhe shifrat e bonusit të këtij fundviti 10-15 mijë lekë
Ato që deri më tani janë thënë si premtime për pensionistët, qeveria ka vendosur t’i bëjë fakt, duke bërë ndryshime në buxhet në favor të kësaj kategorie. Ndërkohë që nuk ka përfunduar ende ndarja e bonusit të fundvitit, nuk do të pritet pranvera për të përcaktuar vlerën e bonusit të dytë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi dje në konferencë për shtyp se brenda këtij muaji qeveria do të dalë me vendim për shpërblimin e dytë, për të gjithë ata që trajtohen me pensione. Kjo, pas rishikimit të buxhetit për vitin 2024, në të cilin nuk ishte parashikuar në asnjë zë bonusi për këtë kategori.
“Rishikimi i buxhetit pritet të ndodhë gjatë fundit të këtij viti. Ky është një Akt Normativ shumë i rëndësishëm, pasi pritet të bëjmë një rivlerësim të ecurisë ekonomike, por ky akt është i rëndësishëm për ne, sepse me të do të përcaktojmë edhe bonusin e pranverës për pensionistët”, tha ministri.
Këtë muaj, mbi 724 mijë pensionistë kanë marrë ose presin një bonus në vlerën e 10 ose 15 mijë lekëve. Në kulmin e krizës së çmimeve, qeveria ka dhënë dy bonuse në pranverë dhe në dhjetor në vlerën e 5 mijë lekëve, ndërsa vlera e shpërblimit të pritshëm nuk dihet ende.
REFORMA E PAGAVE
Reforma në sistemin e pagave, për ministrin e Financave, konsiderohet një objektiv i arritur dhe i përmbushur nga qeveria. Sipas Malajt, kjo reformë pati në efekt financiar në 40 miliardë lekë, ose 400 milionë euro.
“Qëllimi kryesor i qeverisë ‘Rama’ ishte që të mbështeste një punësim cilësor dhe të kishim ndër pagat më konkurruese në rajon. Sot ne e kemi përmbushur objektivin duke arritur të përmirësojmë ndjeshëm pozicionin tonë në rajon”.
Sipas ministrit, me reformën e ndërmarrë është siguruar një pagë më e lartë në të gjithë sistemin arsimor, shëndetësor dhe paga më të lartë në sistemin e mbrojtjes së sigurisë dhe rendit.
“Paga mesatare mujore bruto e përgjithshme, e cila përfshin sektorin publik dhe privat është rritur nga 45 mijë lekë që ishte në vitin 2013, në 77 669 lekë për 3- mujorin e tretë 2024”, – tha Malaj.
“E konvertuar në euro – vijoi ai – shifrat janë respektivisht në 2013, paga mesatare mujore 322 euro dhe në vitin 2024, 791 euro me një rritje 2,3 herë më shumë. Sa i takon pagës mesatare në sektorin publik, ajo është rritur nga 52 mijë lekë që ishte në 2013, në 96 mijë e 856 lekë për 3-mujorin e tretë 2024. E konvertuar në euro me kursin respektiv të të dy viteve kemi në 2013, paga bruto në sektorin publik ishte 372 euro dhe në 2024, paga mesatare bruto 987 euro me një rritje 2,4 herë më shumë”.
Malaj tha se, “reforma e rritjes së pagave ka prekur sektorët kryesorë në vendin tonë. Konkretisht – vijoi ai – paga mesatare në sektorin e arsimit, paga për mësuesit në arsimin parauniversitar arriti në mbi 103 mijë lekë në muaj nga 62 mijë lekë në 2013. Gjithashtu në sektorin e shëndetësinë paga mesatare për mjekët llogaritet në masën 150 mijë lekë, nga 70 mijë e 594 lekë në muaj, që ishte në vitin 2013. Paga mesatare për një infermierë sot llogaritet në 87 mijë lekë nga rreth 40 mijë lekë që ishte në 2013. Në sektorin e sigurisë dhe rendit dhe gjithë stafin policor në vend, me reformën që u ndërmor në vitet 2023 -2024, paga mesatare rezultoi me rreth 106 mijë lekë pa përfshirë të gjitha përfitimet që ata marrin siç është ushqimi, uniforma etj.. Ndërsa për mbrojtjen, paga mesatare për forcat e armatosura është rritur 95 mijë lekë në muaj”, – deklaroi ministri Malaj.
/Gazeta Panorama