Drejtori i Tarifave të Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Romir Pajenga, ka njoftuar se për ata që shpenzojnë deri në 700 KWH energji elektrike, çmimi i energjisë do të jetë 8.5 lekë për KWH.
Ndërkohë, për konsumatorët që kalojnë kufirin e 700 KWH dhe konsumojnë nga 701 KWH e më tepër, çmimi do të jetë 9.5 lekë për KWH.
Sipas Romir Pajengës, të gjitha çmimet e tjera për kategoritë e ndryshme të konsumatorëve do të mbeten të pandryshuara.
“Propozojmë që për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 KWH, çmimi të jetë 8.5 lekë. Ndërsa për ata që shpenzojnë nga 701 KWH e më tej, çmimi do të jetë 9.5 lekë për KWH. Të gjitha çmimet e tjera për secilën kategori konsumatorësh të mbeten të pandryshuara”, tha ai.
Pas miratimit në bordin e ERE pritet që vendimi të aplikohet për periudhën 1 shkurt-31 dhjetor 2025.
Çmimi aktual që paguajnë familjet shqiptare për energjinë është 9.5 lekë, pa TVSH apo 11.4 lekë, me TVSH.