Gazetar: Shkëlzen Aqifi
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrel, ka thënë se zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të Kosovës duhet të shpallën sa më shpejt të jetë e mundur. Borrell tha se zgjedhjet e reja duhet të jenë gjithëpërfshirëse teksa shtoi se presin që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to. Ai kërkoi që Kosova të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri.
“Presim që Kosova të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative”, deklaroi Zhozef Borell, Përfaqësues i lartë i BE-së.
Borell shprehu shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të ushtrisë së Serbisë, ndërsa dënoi edhe dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe mediave. Borrell kërkoi nga Kosova e Serbia të nisin sa më shpejt zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksit, e cila sipas tij, “përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
“Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, shtoi Zhozef Borell, Përfaqësues i lartë i BE-së.
Edhe Shtëpia e Bardhë doli me njoftim rreth bisedave që zëvendëskëshilltari kryesor për Siguri Kombëtare, Jon Finer zhvilloi ditët e fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ai, siç u bë e ditur në komunikatë, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ndërsa, nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, Finer kërkoi që të tërheqë forcat e armatosura dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se vetëm pas zgjedhjeve të reja në veri të vendit mund të ketë kryetarë të rinj dhe se sipas tij, ndërtesat e komunave atje janë asete të Kosovës. Kurti tha se sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë dhe se nuk mund të ketë asnjë pakicë të privilegjuar, teksa shtoi se të gjitha komunitetet duhet të çlirohen prej elementeve me ideologji ekstremiste. Ndryshe, protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave. Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it. /Alsat.mk