Botuesi i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, Bujar Hudhri, ka ndarë detaje të ndjera mbi ditët e fundit të jetës së autorit, duke vënë në pah përkeqësimin fizik të tij, por edhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme shpirtërore dhe intelektuale.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Hudhri rrëfeu se vitet e fundit kishin qenë të vështira për Kadarenë në aspektin fizik, por ai mbeti deri në fund i interesuar për ngjarjet që ndodhnin në Shqipëri dhe përreth tij.
“Së fundmi, Ismail Kadare ra shumë fizikisht dhe nuk shfaqte shumë interes, madje as për biseda të gjata. Megjithatë, ai donte të ishte i mirëinformuar për gjithçka që ndodhte në vend. Ishte me një kureshtje të zgjuar dhe jetonte aktivisht me kohën,” tregoi Hudhri.
Ai kujtoi me emocion edhe takimin e fundit me shkrimtarin, një moment të cilin e përjetoi me ndjeshmëri të thellë:
“E ndjeja se ishte shumë i lodhur, dhe në atë moment më tha: ‘Do të ulem përsëri’. Ishte një moment shumë i ndjeshëm dhe i dhimbshëm.”