Në këto 30 vite të tranzicionit, investimet e vendit në kapitalin human tregojnë përkeqësim, teksa Shqipëria ka flukset më të mëdha të braktisjes së vendit nga të rinjtë.
Emigracioni, i cili është shndërruar në “profesionin” e së ardhmes për shumicën e të rinjve shqiptare po përkeqëson më tej kapitalin human.
Të dhënat krahasuese tregojnë se në vitin 2021 gati 17 për qind e popullsisë së moshës 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim dhe as në trajnim. Kjo përqindje e lartë e 20 vjeçarëve pa asnjë angazhim në arsim ishte gati tre herë më e lartë se mesatarja europiane. Në Bosnje vetëm 4.7% e të rinjve 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim as në trajnim, në Malin e Zi, 6.7% në Maqedoninë e Veriut 4.6% dhe në Serbi 6.2%.
Numri i atyre që largohen herët nga arsimi ka rënë në shumicën ekonomive të Ballkanit Perëndimor në 2021 dhe kryesisht mbetet nën mesataren e BE-së (9.7% në 2021), përveçse në Shqipëri ku fenomeni mbetet i lartë dhe me rritje në krahasim me vitin 2020.
Megjithëse të gjithë vendet e Ballkanit vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar programet e arsimit në nivelin e mesëm të lartë dhe të lartë, pjesëmarrja e të rriturve në arsim dhe trajnim mbetet e ulët në të gjithë rajonin.
Në Serbi, 4.8% e popullsisë se moshës 24-65 vjeç mori pjesë në trajnim në vitin 2021, që është shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në rajon, pavarësisht se ende mbetet prapa BE- së (10.8%), ndërsa në vendet e tjera është shumë e ulët.
Mungesa e mundësive për arsimim e të rriturve dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës ndikon në punësim dhe për rrjedhojë në mundësi më të mira për punësim në popullatën e rritur.
Mungesa e të mësuarit në vazhdimësi pengon rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe adoptimin e modeleve të reja të zhvillimit, përhapjen e teknologjisë dhe zhvillimin ekonomik duke u kujdesur për mjedisin.
Pjesa e të rinjve as punësim, trajnimi ose arsimi (NEET) u ul pak në vitin 2021 në pothuajse të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, por në Kosovë kjo kategori përfshin 40.4% të te rinjve, 26.5% në Mal të Zi, 26.1% në Shqipëri, 25.1% në Bosnje dhe Hercegovinë, 24.2% në Maqedoninë e Veriut dhe 18.8% në Serbi.
Në BE vetëm 13% e të rinjve 15-29 vjeç nuk janë as në punë as në shkollë dhe as në ndonjë trajnim./B.Hoxha
© SYRI.net