Zbardhen detaje të reja nga sulmi me armë zjarri në fshatin Krastë të Fushë-Krujës, ku u qëllua me breshëri kallashnikovi drejt një lokali dhe hoteli në pronësi të shtetasit Mondi Voga.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:10 të mëngjesit të sotëm, kur drejt fasadës së biznesit u qëllua me armë automatike. Në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja, ndërsa plumbat kanë depërtuar deri në banak, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në momentin e sulmit, pronari ndodhej në katin e sipërm të godinës, së bashku me gruan dhe fëmijët, ndërsa në hotel nuk kishte turistë të pranishëm. Vetë ai ka njoftuar policinë menjëherë pas të shtënave.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, autorët dyshohet se kanë qëlluar nga ana tjetër e rrugës, përballë lokalit. Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë nuk kanë regjistruar as autorët dhe as ndonjë automjet, duke e bërë hetimin më të komplikuar.
Policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa mbetet e paqartë nëse sulmi ka qenë një paralajmërim apo një akt hakmarrjeje.



