Ministri i qeverisë për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, David Davis ka thënë se “brenda ditësh” qeveria do e dërgoj në parlament një projektligj që i lejon ekzekutivit të nis procesin e negocimit me Brukselin.
Deklarata e Davis është bërë pasi Gjykata Supreme e këtij shteti ka vendosur sot që qeveria nuk mund të nis negociatat për dalje nga BE-ja pa e marrë paraprakisht miratimin e legjislativit.
Davis megjithatë ka thënë se tashmë është arritur “pika pa kthim” rreth daljes së Britanisë nga BE-ja.
Kryeministrja britanike, Theresa May ka dashur që pa e marrë miratimin e parlamentit të vë në veprim Nenin 50 të Traktatit të Lisbonës përmes së cilës do të njoftohej Brukseli për vendimin e Britanisë për tu larguar nga BE-ja.
Me këtë do të niseshin edhe zyrtarisht negociatat për dalje të Britanisë nga BE-ja.
Kjo gjykatë, po ashtu, ka vendosur që qeveria e zonjës May, nuk ka nevojë të zhvilloj konsultime me Skocinë, Uelsin, apo Irlandën veriore për procesin Brexit.
Ky vendim e ka zemëruar Ministren e Parë të Skocisë, Nicola Sturgeon, e cila ka thënë se tash “po bëhet edhe më e qartë” se Skocia duhet të vendos nëse është e “kënaqur që për të ardhmen tonë të diktohet” nga Londra, “apo nëse është më mirë që të marrim të ardhmen në duart tona?”
Skocezët kanë votuar kundër pavarësimit nga Londra në referendumin e vitit 2014, por pas BREXIT-it janë shtuar thirrjet që Skocia të mbajë një referendum të ri për të qëndruar në BE.