Të nxitur nga perspektiva e tërheqjes së Britanisë nga Bashkimi Evropian vitin e ardhshëm, numri i mbajtësve të pasaportave britanike, të cilët u bënë shtetas gjermanë, u rrit për 162 për qind vitin e kaluar, tha të mërkurën Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë.
Rreth 7,500 britanikë morën shtetësinë gjermane vitin e kaluar. Kjo përcillet nga rritja prej 361 për qind në vitin 2016, duke e çuar numrin brenda dy vjetëve në rreth 10,400. Thënë ndryshe, është më shumë se dyfishi i britanikëve që u bënë gjermanë në 15 vjet nga viti 2000, raporton Reuters.
“Është e dukshme lidhja me Brexitin”, ka thënë Zyra, duke shtuar se britanikët ishin grupi i dytë më i madh që morën shtetësinë gjermane vitin e kaluar pas turqve që ishin në rreth 15 mijë, transmeton Koha.net.
Si pasojë e Brexitit, i cili pritet të finalizohet marsin e vitit 2019, shumë britanikë po brengosen se do të humbin të drejtën e jetesës dhe punës në ekonominë më të madhe evropiane, e cila po gëzon një periudhë jashtëzakonisht të gjatë të zhvillimit dhe numër të ulët rekord të të papunëve.
Në përgjithësi, numri i njerëzve që u bënë gjermanë u rrit për 1.7 për qind vitin e kaluar në 112,200 sosh, që është niveli më i lartë që nga viti 2013.