Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ka kundërshtuar deklaratat e ministrit të saj të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i cili ka thënë dje se Serbia duhet të shqyrtojë pozicionin e politikës së jashtme nëse për BE-në prioritet është Kosova.
“Ministri Vulin e ka dhënë një mendim të tij personal, por qëndrimi shtetëror është diçka tjetër”, tha Brnabic.
Siç raportojnë mediat serbe, kryeministrja serbe ka thënë se “ne kemi punën tonë, e dimë qëllimin tonë strategjik që është Bashkimi Evropian. Jemi duke bërë hapa në këtë rrugë dhe mendoj se synimi ynë është thënë disa herë” përcjell Telegrafi.
“Serbia është absolutisht e hapur dhe e përkushtuar me të gjitha vendet”, ka thënë ajo, derisa ka folur për ndryshimin e mundshëm të politikës së jashtme.
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin ka thënë një ditë më parë se duhet marrë parasysh ndryshimin e politikës së jashtme, nëse për BE-në është vendimtar vetëm qëndrimi ndaj problemit të Kosovës.
Vulin tha se BE përcakton kushtet për të cilat e di se nuk do të përmbushen, po kërkon justifikim që Serbia të mos jetë anëtare e saj.
“Këtë duhet pranuar dhe të vazhdojë në rrugën e vet”, tha Vulin duke komentuar deklaratën e bërë nga Shefi i BE i Delegacionit të BE në Serbi, Sem Fabrici, se qëndrimi ndaj Kosovës është një kusht kyç për hyrjen e Serbisë në BE.