Mali i Zi nga sot zyrtarisht bëhet anëtar i NATO-s.
Fakti se ky shtet i vogël i Ballkanit është bërë anëtar i NATO-s është i rëndësishëm për shkak se i gjithë bregu i Adriatikut kontrollohet tash nga aleanca më e fuqishme në botë.
NATO i ka dhënë një goditje të fortë Rusisë, për shkak se ka bllokuar ndikimin rus në brigjet evropiane. Por, kjo gjithsesi se do t’i rrisë përpjekjet ruse për gjetjen e kanaleve të reja të shtrirjes së ndikimit të saj, veçanërisht përmes Maqedonisë, Republikës Serbe në Bosnje, Serbisë dhe Kosovës.
Një burim i afërt i diplomacisë ruse, për Blicin serb ka deklaruar se Rusia i ka vënë në listë të zezë të gjithë anëtarët e qeverisë malazeze dhe deputetët e parlamentit të Malit të Zi, të cilët kanë votuar pro anëtarësimit në NATO, transmeton Indeksonline.
Ndërsa, Janus Bugajski nga Qendra e Analizës së Politikave Evropiane, për radion shtetërore malazeze ka thënë se është i bindur se “Rusia nuk do të heqë dorë lehtë nga Mali i Zi dhe shtetet fqinje”.
“Rusia nën udhëheqjen e Putinit nuk do të heqë dorë lehtë nga shtetet e regjionit për shkak se ai dëshiron një Rusi të madhe dhe një Perëndim të vogël”, ka thënë Bugajski.
Anijet e NATO-s deri më tash kanë pasur mundësi që të lundrojnë nga Gjibraltari deri në Turqinë Lindore, ndërsa tani arrin të kontrollojë gjithë Mesdheun dhe Adriatikun.