Buja tregon se si shkuan të armatosur në Rambuje dhe si e mori vesh Rugova këtë

Pjesëmarrësi i Konferencës së Rambujesë, më 6 shkur 1999, Ramë Buja ka thënë se si pjëstar të UÇK-së dhe delegacionit të Rambujesë kishin kërkuar që atje të udhëtonin me uniforma dhe të armatosur.

Ai në Klan Kosova ka rrëfyer pjesë të konferencës së mbajtur tash 18 vjet, ku ka shtuar se kërkesa për të shkuar me uniforma iu kishte refuzuar.

“Pastaj për shkaqe të sigurisë kërkuam që atje të shkojmë me armë dhe na u tha ‘PO’. Armët iu thamë se duam t’i kemi me vete se nuk duam që të na marrin të gjallë. Armët i kishim edhe në Ramubje edhe në pjesën e dytë të konferencës në Paris”, tha ai.

“Ne kemi hyrë në Aeroportin e Prishtinës pa pasaporta me armë në brez dhe aty kam thënë se ‘këtu po fillon liria’”, ka shtuar ai.

“Kemi udhëtuar me dy aeroplanë të vegjël”, tha Buja.

“Pas një shakaje në aeroplan,Rugova dhe të tjerët morën vesh se ishin të armatosur, kur u bë një krahasim se Isa Boletini ka dorëzuar një revole të porta kurse tjetrën e ka pasur në brez”, theksoi Buja.

Buja ka kujtuar momente nga konferenca duke shtuar se aty ka pasur mospajtime dhe situata të tensionuara.

Ai ka treguar se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ishte shtyer për dy-tre javë për të marrë aprovimin, siç ka thënë, të komandantëve të zonave që po derdhnin gjak dhe kjo më pas ndodhi.

“Unë them se kemi pas pajtime kryesisht, sepse Rugova kishte gatishmëri më të madhe që të nënshkruante para ‘dyjavëshit’, këtu ka pas disa çarje. Shefi i delegacionit ka qenë Hashim Thaçi dhe ai duhej ta vënte nënshkrimin. Puna përgjithësisht është bërë mirë, pa dallime”, ka thënë Buja.

Aty nënshkroi pala kosovare, atë që e ndërmjetësuan ndërkombëtarët, por aty refuzuan serbët.

“Fati ynë i madh ishte se ata nuk nënshkruan. Kemi hezituar ta nënshkruajmë, duke menduar për fatin e UÇK-së dhe referendumit”, tha Buja.

“Jo vetëm ne si pjesëtarë të UÇK-së, do të jemi mirënjohës ndaj Sekretares së atëhershme amerilkane Madeline Albright. Ajo erdhi dhe na takoi fizikisht për të na konfirmuar mbështetjen e SHBA. E kujtoj qëndrimin e saj, ku ka pritur më shumë se 20 minuta në këmbë derisa u nënshkrua marrëveshja”, tregoi Buja.

“Në një bazë ushtarake kemi biseduar mbi 40 minuta dhe gjenerali Clark pastaj na dha garancionin se do ta godiste Serbinë. Ajo garanci që na dha gjenerali Clark, u realizua”, theksoi ai.