Shqipëria është goditur sot nga një tërmet i fuqishëm, i cili ka lënë të vdekur dhjetëra persona, qindra të lënduar dhe dëme materiale në disa qytete të vendit.
Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende njerëz. Si pasojë e kësaj edhe shumë persona kanë mbetur pa kulm mbi kokë.
Forcat e Sigurisë së Kosovës tashmë kanë mbërritur në Shqipëri në ndihmë të autoriteteve shqiptare, shkruan Reporteri.net.
Por në ndihmë ndaj personave të goditur nga tërmeti në Shqipëri u kanë dalë edhe qytetarët e Kosovës. Ata kanë shprehur një solidarizim të paparë me vëllezërit shqiptarë, siç kanë bërë edhe ata gjatë kohës së luftës, duke strehuar mijëra refugjatë nga Kosova.
Blend Zymi, një qytetar nga Kosova është shprehur i gatshëm për të strehuar 10 anëtarë nga Shqipëria që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. E postimi i tij është shpërndarë nga shumë qytetarë të tjerë të cilët janë shprehur të gatshëm që të bëjnë të njëjtën gjë. Ata kanë lënë edhe numrat kontaktues për të gjithë personat që kanë nevojë për ndihmë.
Kujtojmë se ky është tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë që nga viti 1979.