Gjykatësja nga Bullgaria, Ekaterina Trendafilova, është emërua kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Më 14 dhjetor 2016, Ekaterina Trendafilova u emërua kryetare e parë e Dhomave të Specializuara. Pas rekomandimit të Panelit Përzgjedhës të pavarur, Autoriteti Emërues, znj. Alexandra Papadopoulou, shefe e Misionit të EULEX-it në Kosovë, emëroi zyrtarisht Kryetaren”, thuhet në njoftimin e dhomave të specializuara Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs.
Ajo ka thënë se ndihet thellësisht e nderuar që ka marrë këtë pozitë.
“Në këtë moment të rëndësishëm, në fillimin e veprimtarisë së Dhomave të Specializuara, kam privilegjin të kryej detyrën udhëheqëse që m’u besua. Jam e ndërgjegjshme se garantimi i zbatimit prej Dhomave të Specializuara të praktikave gjyqësore më të mira dhe i administrimit të drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme si për ata që ngarkohen me përgjegjësi penale, po ashtu edhe për viktimat e krimeve që pretendohet se janë kryer, përbën përgjegjësi të jashtëzakonshme. Jam e përkushtuar që këtë detyrë ta kryej në mënyrë të pavarur, me vendosmëri, vrull e përkushtim të plotë. Është me rëndësi jetike që mandatin tonë ta zbatojmë në mënyrë efikase, profesionale dhe të sigurt”, ka thënë Trendafilova.
Ajo ka lindur në vitin 1953 dhe është juriste, akademike dhe thuhet se është gjykatëse e shquar nga Bullgaria, me përvojë të madhe në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare, të drejtës penale, të drejtës procedurale penale dhe të drejtat e njeriut.
Nga marsi 2006 deri në mars 2015, Trendafilova shërbeu si gjykatëse e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN). Para detyrës si gjykatëse në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ajo punoi si profesoreshë e drejtësisë penale në Universitetin e Sofjes, zëvendësprokurore e qarkut në Gjykatën e Qarkut në Sofje dhe shërbeu si këshilltare eksperte për standardet e të drejtës penale dhe të drejtat e njeriut në Parlamentin, Gjykatën e Lartë dhe disa ministri të Bullgarisë.
Kryetari i Dhomave të Specializuara është përgjegjës për administrimin gjyqësor të Dhomave të Specializuara dhe për funksione të tjera që i akordon Ligji. Kryetari gjithashtu kryen detyrën e kryegjykatësit të panelit të Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara.
Trendafilova është emëruar për një mandat katërvjeçar i cili hyn në fuqi në janar 2017.