I njohur si kunati i një prej vëllezërve Kouachi, përgjegjës për masakrën e “Charlie Hebdo” në janar 2015, Mourad Hamyd mendohet se është përpjekur të shkojë në Siri, duke kaluar nëpërmjet Bullgarisë. Një tendencë që po shqetëson gjithnjë e më shumë autoritetet. Gazeta fankofone “Le Temps” shkruan për situatën e ndjeshme të Bullgarisë, njofton albinfo.ch,raporton Sakte.net.
I dyshuar fillimisht nga hetuesit për të qenë “njeriu i tretë” i masakrës së Charlie Hebdo në janar 2015, Mourad Hamyd, u shfajësua shpejt: në atë kohë ishte 18- vjeçar dhe gjendej në mësim në momentin e sulmit. Për më tepër, Mourad, i cili është kunati i Sharifit, një nga vëllezërit Kouachi, dënoi ashpër “krimin barbar”, duke akuzuar të gjithë ata që kanë zhytur emrin e tyre.
Sot, ky djalosh në një stacion policie në Sofje është duke pritur ekstradimi i tij për në Francë, ku ai dyshohet se ka dashur t’u bashkohet trupave të Shtetit Islamik nëpërmjet Turqisë, siç e pati shpallur më 7 gusht gazeta Journal du Dimanche. Në të njëjtën ditë, ministri i Brendshëm bullgar, Rumjana Batchvarova, ka konfirmuar praninë e tij, duke shtuar se ai kishte “sjelljen tipike të një luftëtari të huaj”. Të mërkurën, më 10 gusht, një gjykatë në Sofje do të japë dritën e gjelbër për dëbimin e tij në Paris.
Për pak Mourad Hamyd pati arritur t’i ikë drejtësisë. Udhëtimi i tij nëpër Evropë shkakton djersitje të ftohta pranë policisë, sidomos që familja e Muradit kishte thënë që djali i tyre ishte zhdukur që nga 25 korriku.
Sot ne e dimë se Murad Hamyd ka bërë udhëtimin me tren përmes Hungarisë dhe Serbisë për t’u paraqitur më 26 korrik në kufirin bullgar. Bartës i një pasaporte franceze, ai thotë se vinte si turist. Dogana e lë të kalojë, pavarësisht përmbajtjes së çantës së tij: rroba ushtarake, këpucë ushtarake dhe doreza, si dhe shenjës së kuqe në dosjen e tij në kompjuterin e tyre.
Të hënën, zëdhënësi i Sofjes shpjegoi se autoritetet bullgare nuk ishin të detyruara ta ndalojnë atë, por vetëm të paralajmërojnë Francën për praninë e tij. Zëdhënësi thekson se individi në fjalë ishte “vetëm” i sinjalizuar sikur i zhdukur, sipas sistemit të informimit Shengen.
Më 28 korrik rojat kufitare turke arritën megjithatë të pengojnë rrugëtimin e tij për në Siri. Autoritetet turke e kthejnë atë në Bullgari për shkak të mungesës së një fletarrestimi të lëshuar nga Parisi. Turqia për pak ishte përgatitur ta dëbonte atë në Serbi. Sot autoritetet bullgare pranojnë se nuk dinë çfarë ka bërë Mourad Hamyd gjatë këtyre dy ditëve në Bullgari dhe pyesin pse Franca ka marrë kaq shumë kohë për të paralajmëruar për rrezikun e individit. Shërbimet turke duket se kanë njohuri shumë më të mirë në lidhje me këtë individ që nga episodi i Charlie Hebdo. Që nga vrasjet në Charlie Hebdo, Mourad Hamyd e kishte të ndaluar të hyjë në Turqi.
Nëse analizojmë nga Sofja, mund të thuhet se Mourad Hamyd i shtohet listës së gjatë të kandidatëve për xhihad, të cilët kalojnë nëpër Bullgari. Ata udhëtojnë në të dy drejtimet: nga Perëndimi në Siri, por edhe nga Siria në Perëndim. Këtë realitet e ilustron shumë mirë terroristi në Gjermani (Ansbach), i cili hodhi bombën duke plagosur pesëmbëdhjetë veta. 24-vjeçari Mohamed Delil kishte mbërritur në Bullgari në verë të vitit 2013 dhe gjashtë muaj më vonë falë “statusit humanitar” arrin në Evropën Perëndimore. Në Sofje ai u takua me gazetarët dhe punonjësit socialë, të cilët nuk kanë vërejtur ndonjë shenjë të radikalizmit në këtë djalosh me pamje baba- cool.
Sipas mediave të Shtetit Islamik, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, Mohamed Delil ishte një prej “ushtarëve në mision”. Ndërkohë, bullgarët druajnë se individët sikur Mohamed Delil dhe Mourad Hamyd e konsiderojnë vendin si një udhëkryq në mes të Mesdheut dhe Perëndimit./albinfo.ch