Burgim i përjetshëm për Ratko Mlladiqin

Krimineli serb i luftës së Bosnjës, Ratko Mlladiq sapo është dënuar nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm.

Gjykata ka vërtetuar se ai ka pasur rol të rëndësishëm në “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale” në Bosnje.

Aktakuza ndaj tij kishte gjithsej 11 pika dhe përfshinte krimet kundër njerëzimit, vrasjet, përdhunimet, persekutimet dhe torturat.

Ai u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, përveç për pikën 1, gjenocidin në gjashtë komuna në Bosnje.

Gjatë leximit të vendimit, Mlladiq kërkoi pauzë për shkak të problemeve me shtypjen e lartë të gjakut. Pas kthimit në sallë, mbrojtja e tij i kërkoi Gjykatësit Ori ta përshpejtonte leximin e vendimit ose ta shtynte seancën për një ditë tjetër.

Kur Gjykatësi Ori refuzoi kërkesën e avokatit mbrojtës, Mlladiq filloi të bërtiste, duke sharë dhe fyer Gjykatën.

Për këtë arsye, ai u largua nga salla dhe leximi i vendimit vazhdoi pa praninë e tij.

“Jam i pafajshëm. Me mua mund të bëjnë çfarëdo që të duan, por shpirtin s’mund të ma marrin”, deklaroi Mlladiq, njofton Klan Kosova.

Në korrik të vitit 1995, Mlladiq e kishte udhëhequr rrethimin e Srebrenicës, kurse kishte marrë pjesë edhe në sulmet terrorizuese ndaj qytetit të Sarajevës dhe burgosjet e ushtarëve të UNPROFOR-it.

Pas 16 vjet të fshehjes në Bosnje dhe Serbi, ai u arrestua më 26 maj të vitit 2011, në Vojvodinë, kurse procesi gjyqësor ndaj tij filloi më 16 maj të vitit 2012.

300 media botërore ishin të pranishme në Hagë për ta përcjellë dhënien e vendimit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme