Organizata izraelite e të drejtave të njeriut B’Tselem deklaroi se burgjet izraelite janë kthyer në “kampe torture”, ku palestinezët u nënshtrohen torturave të rënda si dhunë fizike dhe seksuale, uri dhe privimi nga gjumi, transmeton Anadolu.
Në raportin që B’Tselem ka publikuar në gjuhë të ndryshme me titullin “Mirë se vini në ferr: burgjet izraelite u shndërruan në rrjet kampesh torture” paraqiten deklaratat e 55 palestinezëve që kanë qëndruar në burgjet izraelite, prej të cilëve 30 janë nga Kudsi Lindor dhe Bregu Perëndimor i pushtuar, 21 nga Rripi i Gazës dhe 4 arabë shtetas izraelitë.
Ish-të burgosurit, përfshirë mjekë, gra akademike, juriste, studentë universiteti, fëmijë dhe udhëheqës politikë, folën për përjetimet e tyre në burgjet izraelite pas 7 tetorit 2023 kur Izraeli nisi sulmet e tij në Gaza.
Palestinezët e mbajtur në burgjet izraelite vunë në dukje se në burgje zbatohet një politikë sistematike e keqtrajtimit dhe torturës së vazhdueshme, duke përfshirë dhunën seksuale, poshtërimin, urinë, dhunën arbitrare dhe të rëndë.
Gjithashtu palestinezët shprehën se ata në burgjet izraelite janë përballur me kushte të tilla si kushtet e këqija të higjienës, privimi i gjumit, pengimi i adhurimit dhe dënimet për adhurimin, konfiskimi i sendeve personale dhe të përbashkëta dhe pengesën për trajtimin e përshtatshëm.
“Dëshmitë e palestinezëve që kanë qëndruar në burgjet izraelite zbulojnë rezultatet e një operacioni të shpejtë në të cilin më shumë se 12 burgje, civile dhe ushtarake u kthyen në një kamp, qëllimi i të cilit ishte keqtrajtimi i njerëzve. Të gjithë ata që kanë hyrë në këto vende që funksionojnë si kamp torture kanë pësuar dhimbjet më të rënda dhe janë dënuar të vuajë në mënyrë të qëllimshme vuajtje të pafundme”, thuhet në raport.
Në raportin ku vihet në dukje se numri i palestinezëve në burgjet izraelite ishte 5.192 para 7 tetorit 2023 kur Izraeli nisi sulmet e tij në Rripin e Gazës, theksohet se numri i palestinezëve në burgje dhe qendra paraburgimi u rrit në 9.623 që nga korriku 2024.
Ndër të tjera tërhiqet vëmendja se 4.781 nga palestinezët e arrestuar u mbajtën në burg në kuadër të “arrestit administrativ” pa gjyq ose asnjë akuzë.
Raporti thekson se forcat izraelite menjëherë pas 7 tetorit arrestuan në mënyrë të paligjshme mijëra punëtorë të Gazës që ishin në Izrael dhe kishin leje pune, se qindra palestinezë u dërguan në një vend të panjohur dhe se në mesin e tyre ka nga ata që janë ende të ndaluar dhe se këta njerëz u penguan që të informonin të afërmit e tyre.
Familjet, avokatët dhe organizatat e të drejtave të njeriut u përpoqën të hetonin për qendrat e paraburgimit dhe njerëzit në listat e të burgosurve, por këto përpjekje u refuzuan, thuhet në raportin ku bëhet e ditur se gjykatat izraelite janë shprehur se “nuk kanë detyrim” të japin informacion për të burgosurit.
– Praktika e “arrestimit administrativ” të Izraelit
Me praktikën që e quan “arrest administrativ”, Izraeli mund t’i ndalojë palestinezët nga 1 deri 6 muaj pa akuzë ose gjyq.
Gjykatat ushtarake mund të zgjasin periudhën e paraburgimit deri në 5 vjet duke vendosur se i arrestuari “përbën rrezik për sigurinë e Izraelit” pa shpjeguar se për çfarë krimi akuzohet.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë 39.623 palestinezë, përfshirë të paktën 16.314 fëmijë dhe 10.980 gra, ndërsa janë plagosur 91.469 persona të tjerë.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.