Në të njëjtën ditë kur udhëheqësit e talibanëve dolën në konferencën e parë për media pas marrjes së kontrollit të Afganistanit dhe premtuan rivendosjen e rendit dhe aministi për bashkëpunëtorët e Perëndimit, në terren situata është krejt ndryshe.
Në disa foto dramatike të publikuara nga “Los Angeles Times” shihen njerëz të gjakosur, mes tyre edhe fëmijë, të fshikulluar me kamxhik nga talibanët për t’i penguar që të futen në aeroportin e Kabulit.
Talibanët madje hapën edhe zjarr për të zmbrapsur turmat e njerëzve që duan të largohen nga vendi për të mos jetuar nën regjimin e tyre.
Ata premtuan se do të sigurojnë më shumë liri për gratë në jetën publike, bazuar gjithsesi në ligjet e sheriatit, por shumë pak njerëz e besojnë këtë.
Gjithashtu, udhëheqësit talibanë thanë se nuk do të ketë hakmarrje ndaj bashkëpunëtorëve të Perëndimit, por disa video të publikuara në mediat amerikane treguan patrullimet në rrugët e Kabulit dhe kontrolle në shtëpitë e personave që mendohet se kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s.