Buxheti i shtetit si “bahçja e babës”, Bekim Haxhiu – Kamishi kërkon investime milionëshe për komunën e tij, Skenderajn (Dokument)

Në Draft-Raportin me amandamente lidhur me ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019 të cilin e ka siguruar KosovaPost, gjithnjë e më e qartë bëhet se deputetët e Kuvendit të Kosovës propozimet e tyre nuk i bëjnë duke y mmbështetur në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, por varësisht për zonat ku ata kanë siguruar vota ose partia e tyre udhëheq me pushtetin në nivel komunal.

Pasi që u zbuluan “pazaret” e Dardan Molliqajt, i cili kishte kërkuar investime në vlerë të rreth 6 milionë eurove për Komunën e Kamenciës, vetëm për dy projekte, si dhe 1 milionë euro për projekte të tjera, duarkryq nuk ka qëndruar as deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi. Ai për Komunën e Skenderajt është përkujdesur që të kërkojë edhe Parkun e Biznesit, në vlerë prej 1 milionë e 200 mijë eurosh, ndërsa buxheti në total i propozuar për zonat ekonomike shkon në 5 milionë euro, njofton KosovaPost.

Po ashtu, deputeti i PDK-së, është përkujdesur edhe për lidhjen e Skenderajt me komunat e të tjera përmes infrastrukturës rrugore. Për aksin rrugor që e lidh Skënderajn me Mitrovicën në kuadër të zgjerimit rajonal të rrugëve, Kamishi ka kërkuar që të ndahen 2 milionë e 600 mijë euro.

Më modest është treguar me disa projekte më të “vogla” në vlerë prej qindra mijëra eurove, siç janë ndërtimi i sallës së edukatës fizike në shkollën “Shaban Jashari” dhe në shkollën “Anton Çeta”, të dyja këto në Skenderaj.

Ndonëse Haxhiu është anëtar në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe anëtar në Komisionin Hetimor Parlamentar për emërimet e shërbyesve të lartë civil, megjithatë ai ka treguar më shumë prirje për projektet në investimet kapitale për Komunën prej nga vjen – Skenderajn.

Në të kaluarën, Sami Lushtaku e kishte quajtur “zagar” deputetin Haxhiu shkaku i përplasjes lidhur me organizimin e degëve të PDK-së në Skenderaj. Mandej, Lushtaku e kishte shkarkuar Kamishin edhe nga pozita e nënkryetarit të PDK-së në Skenderaj me arsyetimin se i njëjti ka nxitur përçarje dhe nuk ka përfillur organet e partisë.

Komisioni për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e djeshme ka shqyrtuar Projektligjin nr. 06/L-133 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe Raportin me amendamente e procedon në Komisionet e përhershme për vlerësim sipas kompetencës.

Ky Draft – Raport së shpejti pritet të merr trajtën finale dhe të dorëzohet fillimisht në Komisionet e përhershme për vlerësim, e më pas delegohet për votim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme