Zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), Seb Bytyçi i sheh si një “gjellë politike” që te votuesi lë “shije të keqe”. Sheh edhe pasoja që rrjedhin nga ndarja, shkruan sot “Koha Ditore”.
Bytyçi ligjëron në University of Winchester në Angli dhe drejton Institutin Ballkanik të Politikave (IPOL).
Në një intervistë të shkruar dhënë “Kohës Ditore” ka folur për faktorët që kanë prodhuar tërmetin në partinë që, deri në këtë javë, kishte statusin e forcës kryesore në Kuvend. Statusin e humbi kur 12 nga 32 deputetët e saj formuan grup të ri parlamentar, kurse një kaloi në taborin e pushtetit. Kësisoj, tash është forca e tretë në Kuvend.
Në pikëpamjen e tij, LVV-ja ka lëvizur prej së majtës nga e djathta. Dhe, beson që një nga faktorët që ka prodhuar ndarjen është se njëri krah ka dashur që të lëvizet më shpejt e tjetri më ngadalë. Në përgjithësi, ndarjen e sheh si pasojë të një procesi natyror të institucionalizimit apo burokratizimit të subjektit, dhe rikujton se nëpër këtë proces kanë kaluar të gjitha subjektet.
Ndarja, sipas Bytyçit, tregoi se përqindja që e bën LVV-në më ndryshe krahasuar me subjektet e tjera në Kosovë nuk është aq e lartë sa kanë shpresuar shumë njerëz, veçmas 200 mijë votuesit e saj.