“Njëherë e mirë duhet të thyhet “miti” se në shkollat profesionale vijojnë mësimet vetëm nxënësit e dobët”.
Kështu ka thënë ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në një intervistë për Kohavisionin.
Por, sipas tij, kjo gjendje është krijuar nga udhëheqësit e mëparshëm të arsimit, pasi mosinvestimi i tyre në shkollimin profesional, ka bërë që ato mos t’i kenë kushtet elementare për mësim.
Edhe pse aktualisht nuk është asgjë e definuar, Bytyqi është shprehur se për ta ndryshuar këtë gjendje do të punojë shumë me prindër dhe me përfaqësues të bizneseve, prej nga do t’i marrë informacionet rreth numrit të objekteve që nevojiten, si dhe të gjejë format për ta bërë tërheqës këtë lloj mësimi.
Bytyqi për këtë thotë se i duhet ndihma edhe e Qeverisë, por edhe e bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë, në mënyrë që nxënësit e Kosovës të jenë konkurrentë me bashkëmoshatarët e tyre kudo në botë.