Çanak shkon në Bosnjë: Sot duhet të mendojmë se ku të çon çmenduria njerëzore

Politikani serb, kreu i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, është ndër të parët që ka arritur sot në Potoçari të Bosnjës, ku do të bëhet varrosja e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.


“11 korriku është data që çdo person duhet ta ketë në mendje dhe t’ia kushtojë atë datë të menduarit se ku të çon çmenduria njerëzore”, tha Çanak.

Bosnja e Hercegovina sot shënon 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër, e cila është konfirmuar si gjenocid, është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.