Çavuşoğlu-Tillerson: Turqia dhe SHBA dakord për normalizimin e marrëdhënieve

Ankaraja dhe Washingtoni kanë rënë dakord për të normalizuar marrëdhënjiet pas një periudhe tensionesh, tha të premten ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij amerikan, Rex Tillerson, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Turqi, Çavuşoğlu tha: “Ne kemi rënë dakord për normalizimin e marrëdhënieve tona”.

“Natyrisht, ka hapa që janë ndërmarrë për këtë. Të dyja palët kanë pritje nga njëra-tjetra”, tha Çavuşoğlu.

“Ne shprehëm qartë pritjet tona në lidhje me luftën kundër organizatave terroriste FETO dhe PKK dhe mbështetjen e SHBA-ve për YPG-në”, shtoi shefi i diplomacisë turke.

Çavuşoğlu tha se supozojnë që shqetësimet e Turqisë rreth sigurisë janë marrë seriozisht nga SHBA-të.

Duke theksuar se takimi i tij me Tillerson ka trajtuar “hapa të orientuara drejt rezultateve”, Çavuşoğlu tha: “Ne ramë dakord të vendosim disa mekanizma që do të mbulojnë dhe vlerësojnë të gjitha çështjet”.

Ministri turk tha se mekanizmi i dakorduar do të adresojë çështje të veçanta, duke përfshirë integritetin territorial të Irakut, Sirinë, terrorizmin dhe konsullatat.

PYD/PKK në çështjen e Munbixhit

I pyetur rreth pranisë së YPG/PKK-së në Munbixh në veri të Sirisë, pikë kyçe në marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Washingtonit, Çavuşoğlu tha se mekanizmi që trajton çështjen e Sirisë do t’i japë përparësi Munbixhit.

“Duhet të jemi të sigurtë se YPG ka kaluar në anën lindore të lumit Eufrat”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se është e rëndësishme se kush kontrollon këto qytete dhe garanton sigurinë për stabilitetin e tyre.

Organizata terroriste YPG/PKK duhet së pari të tërhiqet nga Munbixhi në mënyrë që Turqia të ndërmarrë hapa me SHBA-të bazuar në besim, ministri turk.

Çavuşoğlu tha se Turqia dhe SHBA-të do të punojnë në koordinim për të siguruar stabilitet në qytetet e tjera të Sirisë.

YPG është degë e armatosur siriane e organizatës terroriste të PKK, e cila ka zhvilluar një luftë prej më shumë se 30 vitesh kundër shtetit turk, duke rezultuar me dhjetëra mijëra të vdekur.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara për shkak të mbështetjes së SHBA-ve për grupin terrorist PYD/YPG/PKK në veri të Sirisë. SHBA-të e kanë quajtur grupin “aleat të besueshëm” në luftën kundër DEASH-it, edhe përkundër kundërshtimeve të forta nga Turqia.

Nga ana e tij, Tillerson tha se marrëdhëniet e SHBA-ve me Turqinë janë të vazhdueshme dhe strategjike.

“Ne qëndrojmë krah për krah me Turqinë kundër kërcënimeve terroriste”, theksoi Tillerson.

SHBA-të do të punojnë në lidhje premtimet e dhëna Turqisë për sa i përket Munbixhit, shtoi ai.

Pasi operacioni “Dega e Ullirit” i drejtuar nga Turqia të pastrojë terroristët e PYD/YPG/PKK-së nga Afrini, liderët turq thonë se do të vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë në Munbixh, ku janë stacionuar forcat terroriste dhe ato amerikane, gjë që ka rritur spektrin e një konfrontimi.

Integriteti territorial i Sirisë

Të dy vendet gjithashtu riafirmuan angazhimin e tyre për të ruajtur integritetin territorial të Sirisë dhe unitetin kombëtar.

“Ne do të qëndrojmë me vendosmëri kundër të gjitha nismave për të krijuar ‘fait accompli’ dhe ndryshime demografike brenda Sirisë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas takimit.

Ankaraja dhe Washingtoni theksuan se “mund të ketë një zgjidhje politike për krizën siriane”, thuhet në deklaratë.

Të dy vendet, thuhet në deklaratë, janë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre për të “arritur këtë rezultat brenda kornizave të parametrave të përcaktuar, përkatësisht Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe procesit të Gjenevës”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme