Gazetare: Ajnur Bafqari
Secila mostër e indit trunor nga Maqedonia e dërguar në Universitetin “Kolumbia” për hulumtime mbi vetëvrasjet dhe skizofreninë është marrë në mënyrë plotësisht legale, me pajtimin e familjeve dhe me miratimin e komiteteve etike në Maqedoni dhe SHBA, thonë bartësit e projektit.
Profesori i Universitetit të Kolumbisë, Gorazd Rosoklija, për Telma deklaroi se për çdo ind të shfrytëzuar ekziston letër pëlqimi nga familja, ndërsa grantet kanë kaluar të gjitha procedurat etike që nga viti 2006.
“I kanë të gjitha pajtueshmëritë nga komitetet etike të fakultetit të mjekësisë, pas vitit 2006 kur u bëra akademik edhe i komitetit etik në ASHAM si dhe në Kolumbi, dhe për çdo ind që është shfrytëzuar, ka letër pëlqimi nga familja, për intervistë por edhe për shfrytëzimin e indit”, tha Gorazd Rosoklija, Profesor në universitetin e Kolumbisë.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se lidhur me këto hulumtime shkencore nuk kanë kompetenca direkte dhe se informacionet i kanë siguruar nga Fakulteti i Mjekësisë.
“Nga Fakulteti i Mjekës jemi informuar se puna shkencoro-hulumtuese që lidhet me materialin biologj që në vete ngërthen karakteristika gjenetike është lëndë e rregullimit më rigoroz normativ siç është ligji për veprimtari hulumtuese. Në periudhën e përmendur obligimi ligjor për ruajtjen e këtij dokumnentacioni ishte 15 vjet, ndërsa nga 2018 e këtej obligimi ligjor për ruajtjen e këtyre dokumenteve është 25 vite”, u shprehen nga Ministria e Shëndetësisë.
Bëhet fjalë për një projekt hulumtues të viteve ’90, mes Universitetit të Kolumbisë dhe institucioneve mjekësore në Maqedoni, përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore, Institutin e Patologjisë dhe Klinikën e Psikiatrisë.
Sipas të dhënave të Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë në SHBA, bashkëpunimi ka nisur në vitin 1996. Maqedonia ishte përzgjedhur për shkak të numrit të lartë të obduksioneve dhe stafit të kualifikuar, ndërsa pala amerikane ofronte teknologjinë e avancuar./Alsat.mk



