Çdo parti maqedonase i ka shqiptarët e vet!

Përderisa çdo parti maqedonase i ka shqiptarët e vet, ato shqiptare ngjajnë në grupe punëtorësh sezonalë që presin punë përpara selive partiake maqedonase. Kështu, për shembull, shqiptarët e sotëm të LSDM-së, pra ata të BDI-së, deri dje ishin në vëllazëri qeveritare me ‘xingot e mingot’ e Millosheviqit dhe i shërbyen VMRO-së së ‘sashove e lubeve’, e sot i quajnë antishqiptarë ata që veprojnë ashtu siç i kishte mësuar vetë ajo – të përdorin mendësinë e ‘prostitutës’, e të shëtisin nga prehri i njërës, në prehrin e tjetrës qendër politike e policore maqedonase.
Ndërkaq, disa nga shqiptarët që sot janë bashkuar me ‘levicën e desnicën’ maqedonase, janë po ata ‘besatarë’ që u bënë deputet duke u vëllazëruar me ‘zaeva e daeva’ dhe që e kishin mësuar mirë mjeshtrinë e BDI-së që nga larg t’i merrnin erë se cila parti maqedonase do mund të bie e cila të vijë në pushtet.
Dhe duke qenë se çdo parti maqedonase i ka shqiptarët e vet, e ato shqiptare u ofrojnë shërbime sezonale gjitha qarqeve politike e policore maqedonase, ndodh që profili i pandryshueshëm i politikanit shqiptarë të Maqedonisë të mbetet ai i kryetarit të PDSH-së dhe, i atyre që nuk i kanë borxh askujt, por që ia huazojnë vetveten çdokujt që pagua mirë.
Dhe në gjithë këtë histori ka diçka edhe më qesharake e më absurde se veprimi politik i partive shqiptarëve të Maqedonisë: këshillat që vijnë nga Prishtina e Tiranë, e që na mësojnë neve shqiptarëve të këtushëm si të mbrohemi nga ndikimi ruso-lindorë e si t’i shërbejmë shqiptarisë?! Me çka shihet se na marrin për aq mendjelehtë sa të mos e dimë se partitë tona me të vërtet nuk kanë maqedonasit e vet, por i kanë ‘shkijet’ e tyre nga Kosova e Shqipëria, të cilët, sa herë që ka rrezik të bie nga pushteti partia e këtushme shqiptare që atyre ua mbush xhepin, ata të paraqiten e të na tregojnë se bashkëpunimi me cilën qendër politike e policore maqedonase na bënë patriot më të denjë shqiptarë?! (Kim Mehmeti)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme