Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrullah Çeku, ka reaguar pas kaplimit nga zjarri të ndërtesës së Muzeut të Muzikës në Gjakovë, derisa është zotuar se e njëjta do të restaurohet e të rikthehet në gjendjen e mëparshme.
I pari i MKRS-së, përmes një postimi në Facebook, është shprehur i prekur nga siç e quajti ai “krimi i mbrëmshëm” ndaj trashëgimisë kulturore të Gjakovës, teksa ka shtuar, se personat që qëndrojnë pas këtij veprimi duhet të ndëshkohen.
“Jemi thellësisht të prekur nga krimi i mbrëmshëm ndaj trashëgimisë kulturore të Gjakovës. Të gjithë përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar”, shkroi Çeku në një postim në Facebook.
Në orët e pasdites së 30 gushtit, objekti i muzeut të Muzikës në Gjakovë është përfshirë nga zjarri.
Komuna e Gjakovës, përmes një komunikate ka bërë të ditur se në objektin e djegur të muzeut të muzikës nuk ka pasur ndonjë artefakt dhe të gjitha elementet historike e artistike kanë shpëtuar.
Ndërkaq, karshi këtij zhvillimi ka reaguar edhe Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga organet kompetente që të jepet përgjegjësi për djegien e objektit të Taphanës, dikur Muzeu i Muzikës në Gjakovë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Kusari-Lila ka thënë se komuna e Gjakovës me qeverisjen që e ka aktuale në krye me Ardianin Gjinin s’ka pasur interesim për ruajtjen e objektit të trashëgimisë.
“Kush e dogji Muzeun e Muzikës, është pyetje për të cilën përgjigjen duhet ta japin organet kompetente. Por kush nuk ka pasur interesim ta mirëmbajë dhe t’a ruajë Muzeun, dihet”.
“Komuna e Gjakovës nën qeverisjen aktuale, nuk e ka pasur as interesimin dhe as vëmendjen të merret seriozisht me këtë objekt të trashëgimisë kulturore. Ai vend pësoi degradimin total para djegies finale”, ka shkruar Kusari-Lila.
Sipas saj, do të ishte e rrugës së duhur që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ta marr nën menaxhim.
“Ky objekt duhet medoemos të rikthehet ashtu siç ishte. Duhet tē rindërtohet dhe për të duhet të kujdeset Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pas rindërtimit duhet t’a merr menaxhimin dhe përkujdesjen ndaj tij me destinimin paraprak, Muzeu i Muzikës shqipe”. (AP)