Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, ka shpalosur pjesët kryesore të programit të tij, në bazë të së cilave synon të qeverisë me kryeqytetin.
Çelaj ka thënë në Klan Kosova se do të angazhohet në zhvillimin ekonomik të Prishtinës, ku ka shtuar se kryeqendra e Kosovës do të jetë vend i kërkuar nga njerëzit prej gjithë bote.
“Prishtina do të jetë destinacion dhe ky do të jetë slogan. Prishtina do të jetë qytet ku të tjerët do ta kërkojnë”, është shprehur ai.
“Prishtina e Kosova fatkeqësisht po kalon një proces me kriza politike, morale e ekonomike kurse barra më e madhe kthehet në kryeqytet”, ka thënë Çelaj.
Ai ka treguar se pse meriton të jetë kryetar i Prishtinës për katër vitet e ardhshme.
“Nuk mund të rri indiferent ndaj proceseve që kanë që lidhen me të mirën e vendit. Kam qenë i angazhuar para lufte, në luftë e pas lufte. Mandatin e kaluar kam qenë asamblist në komunën e Prishtinës që më ka ndihmuar në familjarizimin e sfidave në qeverisjen lokale. Kam vizion, kam guxim, kreativitet dhe mendoj që Prishtinës i duhet një njeri që e çon atë një hap më tutje”, ka deklaruar ai.
Më tej duke shpalosur, pjesë të programit të tij në studion e hapur të “Zona për Prishtinë”, Çelaj ka thënë se zhvillimi ekonomik do të jetë motori dhe promotori i Prishtinës.
“Kam menduar edhe kam projekte konkrete në zhvillimin e ekonomisë, duke filluar prej zonës së Gollakut që do ta shpallim zonë të ushqimit organik edhe zonë turistike dhe kjo do të jetë prioritet, me tej Parku i biznesit e Prishtina digjitale”, ka treguar ai.
“Do të ketë edhe aktivitete kulturore. Do të ketë ndërhyrje urbane. Mendoj që gjatë qeverisjeve të kaluara shumë pak është menduar për njeriun dhe kjo do të jetë një prej çështjeve që do të kemi ndryshim të qasjes në raport me qytetarin e Prishtinës”, ka thënë Çelaj.
“Qytetari është ndjerë i injoruar dhe rol vendimtar do të ketë banori në qeverisjen e kryeqytetit. Në pjesën e rinisë prioritet do të jenë shkollat me një ndërrim, aktivitete jashtëkurrikulare”, ka theksuar ai.
“Do të nxisim edhe gara ku mund të zbulohet talentet e rinj”, ka shtuar Çelaj.
\