Çelaj: S’e përkrahim Pacollin, tërheqjen time e dëshiron edhe Shpendi

PDK nuk e ka në plan të përkrahë Behgjet Pacollin edhe nëse i hynë garës për Kryetar të Prishtinës.

Lirak Çelaj thotë se tërheqjen e PDK’së e dëshiron edhe Shpend Ahmeti.

Por, ka thënë se Pacollin madje s’e shohin as si konkurrent real në garën për qytetin më të rëndësishëm në Kosovë.

Behgjet Pacolli ende nuk e ka qartësuar nëse do të jetë kandidat për Kryetar të Prishtinës.

Por, e qartë është se nuk do ta ketë përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës, pavarësisht nëse vendos t’i hyjë garës për të marrë nën udhëheqje qytetin më të madh në Kosovë.

Lirak Çelaj i PDK’së ka thënë se s’kanë pasur asnjë diskutim për të përkrahur Pacollin për Shef të Prishtinës. Ka thënë se as nuk do të ketë pasi Kryetari i AKR’së nuk është konkurrent për të udhëhequr me Prishtinën.

“Nuk ma merr mendja që edhe me kandidu, unë mendoj që, edhe elektorati jonë i Prishtinës, është vetëdijesuar dhe nuk e sheh Pacollin si konkurrent potencial”, ka thënë ai.

Kandidati i PDK’së për Kryetar të Prishtinës ka thënë se përpos Pacollit tërheqjen e tij prej garës e kërkon edhe kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti.

“Besoj se jo vetëm Pacolli por edhe Shpendi e dëshiron tërheqjen time nga gara. Në këtë sfidë, i vetmi preokupim imi është fitorja, pa kalkulime”, ka thënë Çelaj të shtunën, për Express.

Në garë për të udhëhequr me Prishtinën janë: Shpend Ahmeti nga VV-ja, Arban Abrashi nga LDK-ja, Arbër Vllahiu nga AAK-ja, Shyqyeri Bytyqi nga NISMA dhe ende nuk dihet se a do të jetë Behgjet Pacolli nga AKR-ja.

Zgjedhjet komunale do të mbahen më 22 tetor.

Sidoqoftë, PDK asnjëherë s’ka arritur rezultatet të mira në Prishtinë. Në zgjedhjet e fundit kishin pësuar humbje të thellë duke kandiduar Agim Çekun, një ish-komandant me prejardhje nga Peja.

PDK kishte dështuar në Prishtinë edhe me kandidat me kredenciale akademike. Astrit Salihu pati dështuar të bëhet Kryetar i Prishtinës duke garuar kundër Isa Mustasfës, i cili pati fituar pa balotazh.

Ish-Partia e Thaçit e tash e Kadri Veselit pasluftës kishte garuar edhe me Nënkryetarin e parë të PDK’së, Fatmir Limajn, por edhe ai pati dështuar përballë LDK’së, e cila ka udhëhequr me Prishtinën deri më 2013 kur pushtetin e mori Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme