Në Shqipëri, popullsia e vendit në vitin 2023 rezulton të jetë tkurrur me 15 përqind, krahasuar me 12 vjet më parë. Të dhënat e censit të popullsisë, të bëra publike sot nga Institut i Statistikave, deshmojnë se numri i banorëve në vend ka rënë me 429 mijë banorë me pak. Profesori i njohur I demografisë Arjan Gjonçaj, shpjegon se fenomeni i emigracionit shihet si faktori kryesor, së bashku më rënien e shtesës natyrore të popullsisë, si pasojë e uljes së lindjeve. Afro 600 mijë shqiptarë rezultojnë të jenë larguar që nga viti 2011.
Të dhënat e sotme të censit të popullsisë tregojnë se vendi gjendet përballë rënies më të fortë të banorëve. Nga pak më shumë se 2.8 milionë në vitin 2011, vitin e kaluar popullsia banuese ra në 2.4 milionë, gati 15 përqind më pak, ndërkohë që krahasuar me vitin 1989, Shqipëria ka humbur 1 të katërtën e banorëve të saj.
Arjan Gjonçaj, profesor i demografisë në “London School of Economics”, shpjegon për Zërin e Amerikës, arsyet e këtyre shifrave. “Mesazhi kryesor është që popullsia e Shqipërisë vazhdonë të bjerë, dhe me një ritëm më të lartë se më parë, për shkak të emigracionit dhe lindshmërisë së ulët. Emigracioni mbetet dhe plaga më e madhe”, thotë ai.
Sipas Institutit të Statistikave, emigracioni ka ruajtur thuajse të njejtën tendencë si dhe në periudhën 2001-2011, me një mesatare prej 50 mijë personash në vit të larguar, ose 600 mijë shqiptarë që kanë lënë vendin në 12 vitet e fundit. Por, po sipas censit, deri në 2023 afro 108 mijë të tjerë janë rikthyer, ku thuajse 26 mijë, vetëm vitin e kaluar, Sipas Profesor Gjonçajt “me rritjen e mirë të ekonomisë shqiptare, mund të kemi dhe një kthim të trendit pozitiv, madje disa nga ne mendojnë se mund të ndodhë brenda 5 viteve të ardhshme”
Problematike shfaqet shtesa natyrore e popullsisë, me një rënie progresive të lindjeve. Të dhënat paraprakee për vitin 2023 flasin për 24 mijë lindje dhe 22 mijë vdekje. Krahasuar me vitin 2011 lindjet janë tkurrur me gati 30 përqind, dhe mbi 50 përqind krahasuar me vitin 2001.
Ky fenomen, së bashku me emigracionin dhe rritjen e jetëgjatësisë, po çon në plakjen e popullsisë. Mosha mesatare vitin e kaluar shkoi në 42 vjet e gjysëm, sipas censit, duke u rritur me 7 vite krahasuar me 2011. Të dhënat e Censit tregojnë se një në 5 banorë, është mbi 65 vjeç, ndërkohë që ky raport ishte 1 me 9 në censin e vitit 2011. “Plakja e popullsisë nuk është fenomen i ri. Ne këtë e dimë. Shqipëria ka shpejtësinë e plaksjes më të madhe në Europë. Dhe plakja vjen si rezultat i emigracionit dhe i rënies së fuqisë punëtore”, vë në dukje profesor Gjonçaj.
Sipas tij, janë dy probleme që duhet të trajtohen lidhur me moshat e treta: “Problemi i parë është kujdesi social. Ne kemi traditë që kujdesemi për prindërit. Por nga ana demografike, nuk ka më fëmijë, ose janë në emigracion ose ka lindëshmëri të ulët. Pra nuk ka djem e vajza që të kujdesen për prindërit. Ne nuk e kemi traditë kujdesin institucional. E dyta është kujdesi shëndetësor. Me rritjen e përqindjes së popullsisë në moshën e tretë, ne dimë që me plakjen rriten dhe sëmundjet kronike. Dhe kjo kërkon ose politika parandalimit për sëmundjet kronike, ose të përmirësohet shëndeti terciar që të përballojë sfidat që vijnë nga plakja”.
Të dhënat e Censit sollën dhe një panorama të lëvizjeve të brendshme migratore, të cilat kanë çuar që gati një e treta e popullsisë të përqëndrorhet në qarkun e Tiranës me një rritje me 1.2 përqind krahasuar me 12 vjet më parë, ndërsa vetëm Bashkia e kryeytetit numëron afro 600 mijë banorë. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me 10 përqind, pasuar nga Elbasani me 9.7 përqind të popullsisë. Ndërsa Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2.6 dhe 2.5 përqind.
Në ndryshim nga viti 2011, kemi një përmbysje të raporteve meshkuj/femra. Këto të fundit rezultojnë të jenë 50.4 përqind e popullsisë. Ato janë po ashtu në superioritet të ndjeshëm ndaj meshkujve dhe sa i takon formimit universitar. Më shumë se gjysma e femrave kanë përfunduar studimet e larta, kundrejt vetëm 33 përqind të meshkujve.
Sa i takon besimit fetar, të dhënat e censit nuk kanë ndonjë surprizë. Ata që janë deklaruar se i përkasin besimit musliman janë mbi 1.1 milion, të cilëve u shtohen dhe 116 mijë muslimanë bektashinj. Të krishterët katolikë zënë vendin e dytë me mbi 200 mijë besimtarë, ata ortodoksë pasojnë me 176 mijë, ndërsa 9700 janë deklaruar të krishterë ungjillorë. 10 përqind e popullatës nuk i është përgjigjur pyetjes rreth besimit fetar, e 4 përqind janë deklaruar ateistë./VOA