Certifikohen për sigurinë publike 25 policët e parë bashkiakë

25 punonjësit e parë të policisë bashkiake morrën certifikatën nga Akademia e Sigurisë për aftësimin në fushën e sigurisë publike.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i pranishëm në ceremoni, tha se në tre vjet Policia Bashkiake nuk ka ndryshuar vetëm imazhin, por mbi të gjitha cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Gjenerata e Policëve Bashkiakë nuk ka ndryshuar vetëm imazhin, por mbi të gjitha cilësinë e shërbimit. Gjithmonë ka njerëz që mundohen të gjejnë një cen te Policia e Shtetit apo Policia Bashkiake. Por, po të shohim sa rrugë kemi bërë dhe ku e morëm si shtetin, si qytetin, them se më e mira është përpara. Kemi bërë mjaftueshëm për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit edhe për ta falenderuar”, deklaroi Veliaj.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme, efektivët e Policisë Bashkiake po ndjekin një program mësimor që do të formojë dhe zhvillojë më tej aftësitë teoriko-profesionale, në shërbim të qytetarëve. Veliaj nënvizoi se në një vend si Shqipëria me problematika të mbartura nga e kaluara, është e nevojshme inkurajimi i sjelljes qytetare. “Kjo nuk është një punë që do ta bëjmë vetëm, por njerëzit mund të inkurajojnë një sjellje qytetare. Një polic i shtetit ose i bashkisë nuk është vetëm roje me uniformë i sigurisë publike. Është edhe këshilltar, edhe psikolog”, shtoi më tej kryebashkiaku.

Kreu i Bashkisë tha se puna e Policisë Bashkiake dhe asaj të Shtetit për menaxhimin e qytetit, duke rritur sigurinë dhe krijuar një imazh pozitiv për vendin, ndikojnë pozitivisht në gjithë zinxhirin ekonomik të qytetit. “Një nga arsyet pse të huajt që vijnë raportojnë për një qytet perëndimor është pikërisht se shikojnë trotuare të lira, prona publike të pavandalizuara, shikojnë një qytet ku njerëzit respektojnë semaforin, vijat e bardha, ku shohin një polic të shtetit apo të bashkisë që ndihmon fëmijët që kalojnë trotuarin. Përshtypja që jep qyteti përkthehet në një shkrim, i cili lexohet nga miliona të tjerë që nesër vijnë turistë, sjellin para për ekonominë”, theksoi ai.

Bashkia e Tiranës pritet të ndërmarrë një tjetër nismë për të rritur më tej sigurinë në kryeqytet, atë të policimit në komunitet. Veliaj tha se bashkë me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është rënë dakord që në çdo njësi administrative të ketë një punonjës policie, i cili do të ketë si fokus të punës zgjidhjen e problematikave të qytetarëve në drejtim të sigurisë dhe rendit.

Ndërkaq, punonjësit e policisë mbollën edhe disa pemë në ambientet e Akademisë, duke iu bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës për gjelbërimin e qytetit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme